Vladimir Gjuta doli sot para Gjykatës ku mësoi vlerësimin e masës së sigurisë. Gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Gjutës dhe vendosi ta linte atë në burg.
Pas seancës, avokati i tij tha se kërkesa e prokurorisë bazohej vetëm në faktin e sasisë së parave që Gjuta kishte me vete në momentin ku u ndalua para selisë rozë. Ai u shpreh se klienti i tij i ka pasur paratë për t’i thyer në Exchange dhe për t’i përdorur për biznesin e tij.
“Ka mbrojtur pasurinë e vet, kështu e ka menduar ai. Me paratë ai pretendoi se paratë janë të ligjshme dhe i ka siguruar nga biznesi në Angli së bashku me familjarët. I duheshin për të krijuar një biznes, tregti me mallra amerikane. Prokuroria kërkoi arrest me burg vetëm për paratë e gjetura. Paratë do i thyente për biznesin e tij”, deklaroi avokati.
Gjuta u ndalua më 10 shkurt nga punonjësit e Gardës pas dyshimeve se tentoi të hynte në selinë e PS-së me armë. Ai kishte edhe një shumë mbi 100 mijë eurosh me vete. Janë tre akuza që prokuroria ka ka drejtuar ndaj tij: “Armëmbajtje pa leje”, “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.