Vendosni fjalën kyçe....

Punonjësi i Veliajt përqafon me zor gazetaren, për të shpëtuar shefin nga pyetjet (VIDEO)


Një ditë më parë, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përfundoi festimet e 100-vjetorit të Tiranës, por pikërisht në mbyllje ka ndodhur një incident me një gazetare.

Sonila Musaj e cila është gazetare e televizionit Ora News, ndoqi Veliaj për t’i bërë disa pyetje, mirëpo njerëzit pranë kryebashkiakut u munduan ta pengonin.

E njëri prej tyre, Përgjegjësi i Marrëdhënieve me Publikun, Aurel Boriçi iu afrua gazetares dhe i tha hajde të të përqafoj pa e njohur fare, duke u munduar ta largojë nga Veliaj.

Gazetarja e revoltuar iu përgjigj: ” Të lutem mos më prek, si mund të përqafosh një femër që nuk e njeh!”. Ju do pyesni, po ç’bëri Veliaj kur pa këtë skenë? Asgjë, ai vijoi bisedën i pa shqetësuar.

Gazetarja Musaj pas këtij incidenti e ka akuzuar punonjësin e bashkisë për seksizëm në një postim në rrjetet sociale. Ajo shprehet se do ngrejë një padi ndaj punonjësit të bashkisë.

Ajo shkruan: Miq që prej moshës 17-vjeçare kam punuar në media sigurisht jam ndeshur me sjellje të shumë personave por si sjellja e këtij punonjësi të bashkisë Tiranë, kurrë. Sjellja e këtij personi ishte e papranueshme. Seksiste dhe ngacmim i pastër, në emër të gjoja pengimit tonë që të mos intervistonim kryetarin.

Kjo është e patolerueshme që mos të lejojnë të bësh punën tënde. Por unë nuk tërhiqem dhe do të vijoj të jem zëri i qytetarëve. Kam biseduar me avokatin tim dhe po hartohet një padi ndaj personit i cili pa më njohur pretendon se po më përqafonte, e vërteta është se ai nuk donte të intervistoja kryetarin e Bashkisë. Mesa duket, u frymëzua nga fjalimi i Veliajt i cili në 100 vjetorin e Tiranës Kryeqytet u kërkoi pjesmarrësve të përqafoheshin majtas e djathtas…, a thua se po mbytej Titaniku dhe jo të ishim në një festë.

Por një gjë këtu po mbytet. Tirana. Përveç përmbytjeve nga shiu, po mbytet si qytet në llum e korrupsion që buron nga zyra e kryetarit të bashkisë e me rradhë. Ky është turp. Puna jonë do vijojë ditë për ditë në krah të interesit qytetar dhe transparencës.”/ Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *