Vendosni fjalën kyçe....

Bie numri i bizneseve aktive në 2018, mbyllen 848 ndërmarrje


Në vitin 2018 numri i bizneseve që kanë operuar në vend ka shënuar ulje sipas të dhënave zyrtare të INSTAT që u publikuan sot. Numri i ndërmarrjeve aktive për vitin 2018 u ul me 0,2%. Gjithsej operuan 107,450 biznese më 2018 nga 107,686 biznese më 2017. Rënien më të madhe shënuan bizneset e vogla të cilat u reduktuan ndjeshëm gjatë vitit 2018. Nga të dhënat shihet se gjatë këtij viti mbyllën aktivitetin 848 ndërmarrje me 1-4 të punësuar. Kategoritë e tjera të biznesit sipas numrit të punësuarve shënuan rritje, por kjo ishte e pamjaftueshme për të mbuluar hendekun që krijoi mbyllja e bizneseve të vogla. Bizneset e vogla nuk po përballojnë barrën fiskale nga përfshija në TVSH në fund të vitit 2018, rënien e konsumit dhe konkurrencën nga qendrat tregtare.

Sipas INSTAT prodhuesit e shërbimeve kontribuuan me -0,1% në uljen e numrit të ndërmarrjeve aktive dhe prodhuesit e të mirave me -0,1%.Sektori me numrin më të madh të ndërmarrjeve është ai i tregtisë me 41,4%, i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera me 21,2%dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve me 17,7%.Gjatë vitit 2018, sektori i energjisë elektrike, gazit ,ujit dhe trajtimi të mbetjeve si dhe industria nxjerrëse patën numrin më të vogël të ndërmarrjeve aktive, me 0,6% të ndërmarrjeve aktive gjithsej

Në vitin 2018, ndërmarrjet që operojnë në aktivitetet e prodhimit të të mirave dhe shërbimeve realizuan 2.180 miliardë lekë shitje neto, duke shënuar një rritje me 7,0 %,krahasuar me vitin 2017. investimet e realizuara arritën vlerën 238miliardë lekë nga 231miliardë lekë në vitin 2017, duke shënuar një rritje prej 2,8 %.

Në vitin 2018, operuan107.450 ndërmarrje aktive, duke shënuar një ulje me 0,2%, ndërsa numri gjithsej i të punësuarve u rrit me 4,6 %, krahasuar me vitin 2017.

Bazuar në të dhënat finale të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve kontributin më të madh në rritjen prej 7,0% të shitjeve neto e dhanë prodhuesit e të mirave me +2,8pikë përqindje, të ndjekur nga prodhuesit e shërbimeve me +4,2pikë përqindje. Gjatë vitit 2018,sektori i tregtisë zuri peshën më të madhe të shitjeve neto me 45,2%,i ndjekur nga sektori i ndërtimit me 11,7%.Sektorët me peshën më të vogël janë sektori i akomodimit dhe restoranteve (2,8%) dhe sektori i industrisë nxjerrëse (3,6%).

Për treguesin e punësimit, prodhuesit e shërbimeve kanë kontribuar me +3,1pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e të mirave kanë kontribuar me +1,5pikë përqindje. Sektori me përqindjen më të lartë të punësimit për vitin 2018 është sektori i tregtisë me 24,3% të punësimit, i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera (arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike etj.)me 21,5%dhe nga sektori i industrisë përpunuese me 20,6% të të punësuarve gjithsej.

Gjatë vitit 2018,investimet u rritën me 2,8%,ku prodhuesit e shërbimeve kontribuan me +8,8pikë përqindje dhe prodhuesit e të mirave kontribuan me -6,0 pikë përqindje. Prodhuesit e shërbimeve zunë 38,6% të investimeve nga 30,9 %që zinin vitin e kaluar.

Sektori me vlerën më të lartë të investimeve të realizuara është sektori i energjisë elektrike, gazit, ujit dhe trajtimit të mbetjeve,i cili për vitin 2018ka investuar 55miliardë lekë duke zënë 23,2% të investimeve gjithsej. Peshën më të vogël të investimeve e zënë sektorët e akomodim dhe restoranteve (3,2%) dhe transporti, informacioni dhe komunikacioni(6,5%).

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *