Vendosni fjalën kyçe....

Konkurrenca rrëzon rritjen e çmimit nga kompanitë celulare, nis hetim të tregut


Autoriteti i Konkurrencës ka marrë dy vendime këtë të premte, që lidhen me tregun e telefonisë celulare.

Në njërin prej tyre, Konkurrenca kërkon që operatorët të ndërpresin menjëherë paketat e reja, të cilat u shoqëruan me rritje çmimi, ndërsa në vendimin tjetër, njofton hapjen e një hetimi paraprak mbi tregun.

Prej gati 10 ditësh, tre operatorët celularë njoftuan rritjen në grup me 200 lekë të paketave të telefonisë që ata ofronin për konsumatorët, çka u shoqërua me pakënaqësi të madhe. Autoriteti njoftoi se është vënë në lëvizje për këtë hap, pas ankesave të konsumatorëve.

“Bazuar sa më sipër si dhe nisur nga shqetësimet në masmedia mbi rritjen e çmimit të paketave celulare 30-ditore me parapagesë me 200 lekë, Autoriteti i Konkurrencës në bazë të nenit 28 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, vendosi të realizojë një monitorim në këtë treg në lidhje me çmimin e paketave mujore që hidhen në treg nga operatorët celularë Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom” thuhet në dokument.

Nga ky monitorim, Konkurrenca ka dalë në përfundimin se të tre operatorët celularë kanë hedhur në treg paketat e reja standarde 30-ditore me parapagesë me një rritje në çmim prej 200 lekësh, si dhe kanë rritur vlerën minimale për rimbushjeje me 100 lekë, nga 100 në 200 lekë, në periudhën kohore 30 Janar – 11 Shkurt 2020, sjellje e cila në kuptim të nenit 4, pika 1, germa (a) të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar, mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar.

Ky autoritet nënvizon se, bazuar në nenin 44 të ligjit nr. 9121/2003, referuar sjelljes së ndërmarrjeve Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, vlerësojmë se jemi përpara një rasti urgjence, për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në këtë treg, pasi ka të ngjarë të ketë shkelje të nenit 4, pika 2, gërma (a) të ligjit nr. 9121/2003.

Lidhur me këtë, Autoriteti ka vendosur që kompanitë të bëjnë ndërprerjen e menjëhershme dhe jo me vonë se 5 ditë nga njoftimi i këtij vendimi, të aplikimit të paketave të reja standarde 30-ditore me parapagesë, për ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom. Masa e përkohshme merret për një periudhë kohore deri në përfundim të procedurës hetimore.

Në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme të cituara në pikën (I) të këtij vendimi, ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom ndëshkohen me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës në zbatim të nenit 74, pika 1, gërma b) të ligjit nr. 9121/2003.

Në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, Komisioni i Konkurrencës vendos gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore, deri sa ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom të veprojnë në përputhje me vendimin për masat e përkohshme, në zbatim të nenit 76, pika 1, germa b) të ligjit nr. 9121/2003

Po kështu është vendosur nisja e një hetimi paraprak që do të përfshijë periudhën nga 1 nëntori 2019 deri më 31 mars 2020.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *