Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij i Kanadasë Justin Trudeau zhvilluan një takim në margjinat e Konferencës për Siguri në Munih ku diskutuan edhe për procesin e rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit ku edhe Kanadaja ka shprehur gatishmërinë të marrë pjesë.
Trudeau i ka shprehur Ramës edhe njëherë ngushëllimet për tërmetin dhe ka deklaruar se Kanadaja është angazhuar për të marrë pjesë edhe në Konferencën e Rindërtimit.
“Kënaqësi e vërtetë të ulem sërish me mikun tim, Edi Rama nga Shqipëria. Më jep mundësinë së pari, të shpreh edhe njëherë ngushëllimet e mia për tërmetin e tmerrshëm për të cilin folëm kur u takuam në NATO. Kanadaja është angazhuar për të marrë pjesë edhe në Konferencën e Rindërtimit. Kemi punuar shumë mirë bashkë në misionet e NATO-s. Shqiptarët po kryejnë shërbimin përkrah Kanadasë në Letoni për mision “Enhanced Forëard Presence” dhe është kënaqësi të vazhdojmë të shkëmbejmë dhe të kemi një bashkëpunim kaq të mirë me ju ndërsa ecim përpara”, u shpreh Trudeau.
Ndërkohë kryeministri Rama i shprehu mirënjohjen homologut kanadez duke vënë theksin në forcimin e marrëdhënieve.
“Jam shumë mirënjohës dhe e vlerësoj shumë takimin me ju në çdo rast. Ju e dini që keni një ndikim shumë të madh te shumë nga homologët tuaj. Në të njëjtën kohë e dini që jeni edhe Kryeministër i shumë shqiptarëve që jetojnë në Kanada, punojnë shumë dhe kontribuojnë për vendin tuaj, por gjithashtu marrin shumë njohuri dhe të mira nga vendi juaj për familjet e tyre. Do të doja t’ju shpreh edhe mirënjohjen që treguat ndjeshmëri për ato që ndodhën kohët e fundit. Mirënjohës që do të jeni i pranishëm në konferencë. Duam t’i forcojmë marrëdhëniet. E di që jemi larg, por në një farë mënyre ndihemi shumë të afërt me vendin tuaj dhe të gjithë ju. Prandaj faleminderit për kohën dhe faleminderit që u ulët nga ana e flamurit shqiptar”-deklaroi Rama.