Vendosni fjalën kyçe....

Video komprometuese ndaj ambasadori të BE-së, reagon Meta: Të nisin hetimet ndaj autorëve


Kreu i Shtetit Ilir Meta ka reaguar nëpërmjet zëdhënësit të tij lidhur me deklaratën e Ambasadorit të Bashkimit Evropian i cili ditën e djeshme u prononcua me akuzat mbi një video intime me një zyrtare të mazhorancës, duke e quajtur lajm të rremë dhe shpifje.

Nuk reagova publikisht sepse nuk doja t’i jepja rëndësi lajmeve të rreme. Këto janë të këqija, shpifje. Ata që shpërndajnë lajme të rreme, pas disa kohe kjo sjellje e keqe u shkon kundër”- u shpreh Soreca ditën e djeshme studion e emisionit “Open”.

Lidhur me këtë Presidenca  reagoi sot duke thënë se shpreh solidaritetin me ambasadorin dhe zyrtaren e përfolur duke shtuar se do kërkojë zyrtarisht institucioneve që të nisin hetimet ndaj autorëve dhe urdhëruesëve të shantazhit.

Deklarata e plotë e zëdhënësit Tedi Blushi:

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta u njoh sot nëpërmjet medias me shqetësimin e rëndë të bërë publik nga ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Sh.T.Z Luigi Soreca, lidhur me përhapjen e qëllimtë dhe dashakeqe të disa lajmeve për gjoja ekzistencën e një video kompromentuese, me qëllim goditjen e pastërtisë së figurës së Tij.
Presidenti Meta duke shprehur solidaritetin e Tij të plotë me ambasadorin e BE, si edhe me një zv/ministre të Qeverisë, e cila mësohet se gjithashtu është përfolur paturpësisht në këtë çështje, bën me dije se shumë shpejt do t’i kërkojë zyrtarisht institucioneve të drejtësisë, Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, të nisin menjëherë hetimet për zbardhjen pa asnjë vonesë të autorëve dhe urdhëruesit të këtij shantazhi të dënueshëm ndaj dy autoriteteve.
Presidenti Meta i bën thirrje gazetarëve të distancohen urgjentisht nga çdo skenar i fabrikimit të lajmeve të rreme me qëllim shantazhimin e Ambasadorit të BE dhe çdo diplomati tjetër në Tiranë.
Presidenti Meta fton median, opinionin publik, dhe në veçanti shoqërinë civile, të solidarizohen dhe të dënojnë këtë shantazh të paprecedent, si dhe të përqëndrohen në denoncimin dhe distancimin nga aktet e rënda të Rilindjes, për kapjen e sistemit të drejtësisë, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, siç ishte rasti më i fundit skandaloz i miratimit të ligjit anti-kushtetues për instalimin e KRYEKÇK-së, vetëm pak orë para mbërritjes në Tiranë të Komisionit të Venecias, të kërkuar nga vetë Kuvendi.
Presidenti Meta do të forcojë edhe më shumë bashkëpunimin e Tij të ngushtë me BE-në, dhe do të kërkojë hetim të përbashkët për situatën tepër të rëndë dhe të patolerueshme në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.
Presidenti Meta është i palëkundur në vendosmërinë e Tij për të mbrojtur vlerat europiane, nëpërmjet rivendosjes së besimit dhe integritetit të institucioneve të reja të drejtësisë, me besnikëri të hekurt ndaj Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Vetëm në këtë mënyrë do të garantojmë çeljen e negociatave për anëtarësim në BE dhe sundimin e ligjit në vend.

Deklarata e ambasadorit Soreca pas minutës së 29:


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *