Ish-deputetetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj, ka kujtuar sot premtimet që kryeministri Edi Rama u ka bërë naftëtarëve disa vite më parë dhe që ende nuk janë realizuar e përpos kësaj nuk po marrin as pagat.
Kjo deklaratë e Mehmetajt vjen pas ditës së tretë të grevës së urisë së punëtorëve të nënstacionit elektrik dhe pompimit të Poçemit, të cilët ankohen se nuk kanë marrë 27 paga.
“Kur Edi Rama kërkonte votat në 2013-ën u premtoi naftëtarëve paga të larta, kushte më të mira pune dhe madje që Uzina do të vihej e gjitha në punë si ndërmarrje shtetërore. Ndërkohë, naftëtarët kanë 27 muaj pa marrë pagat, personeli është shkurtuar dhe banorët që jetojnë mbi tokën naftëmbajtëse jetojnë në varfëri, pa infrastrukturë e pa kushte. Ku është sot qeveria dhe Edi Rama? Pse nuk veprojnë? Askush nuk po interesohet as për jetën e këtyre naftëtarëve që prej dy ditësh janë në grevë urie edhe pse protestat e tyre kanë zgjatur për më shumë se një vit.”– shkruan Mehmetaj.
Stacioni i pompimit të ujësjellësit dhe nënstacioni elektrik në Poçem furnizon me ujë dhe energji elektrike një pjesë të fshatrave të Mallakastrës dhe qyteti i Ballshit. Ai është nën varësinë e uzinës së naftës në Ballsh, e cila për shkak të problemeve të shumta ekonomike ka ndryshuar disa herë pronar.
Greva e tyre e urisë e cila vazhdon prej 3 ditësh dhe ndalimi i punës rrezikon të lërë pa ujë dhe pa energji gjithë zonën. Sot grevistët kanë shfaqur problemet e para shëndetësore për shkak të mungesës së ushqimit, moskonsumimit të lëngjeve dhe temperaturave të ulëta gjatë orëve të mbrëmjes.