Vendosni fjalën kyçe....

Grevistët e Poçemit shfaqin problemet e para shëndetësore: Nuk jam mirë, por stresi na ka shkatërruar më shumë


Punonjësit e stacionit elektrik dhe të pompimit në Poçëm, kanë hyrë në ditën e tretë të grevës së urisë. 14 prej 16 punëtorëve vijojnë grevën dhe kërkojnë që të marrin pagat që sipas tyre nuk i marrin prej 27 muajsh.

E ndërsa janë bërë 3 ditë nga nisja e grevës, kanë filluar problemet e para shëndetësore për shkak të mungesës së ushqimit, moskonsumimit të lëngjeve dhe temperaturave të ulëta gjatë orëve të mbrëmjes.

Doktor Shefqet Zylali i cili i ka kontrolluar ata paraditen e sotme është shprehur:  “Gjendja e tyre shëndetësore po rëndohet dhe ata kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme. Ka filluar dehitratimi. Kam qenë edhe në 6 të mëngjesit. Janë rënduar shumë. Janë me tension, janë rëndë.” 

Një nga grevistët ishte më i sëmurë pasi kishte patur luhatje të tensionit ndërsa vuante dhe nga diabeti, e pasi bëri një serum ai u rikthye sërish në grevë.

Në një prononcim për Fax News, punonjësi tha se më shumë se mungesa e ushqimit ai vuan nga stresi i 27 muajve që nuk ka marrë pagat. Ai ka shpjeguar se ata gjenden në një situatë tejet të vështirë, pasi edhe pse kompania ka ndërprerë kontratën me ta, atyre u është kërkuar që të vijojnë punën. Po ashtu ankohet se asnjë përfaqësues i shtetit nuk ka shkuar që të interesohet për ta.

“Unë sapo mora mjekimin nga mjeku i specializuar. Nuk jam normal, nuk jam mirë. Nga ç’isha jam përmirësuar, por nuk jam mirë sepse kam dhe probleme të tjera shëndetësore, vuaj nga diabeti. Por stresi na ka shkatërruar, të lësh fëmijët pa bukë nuk ka ku vete më keq.

Kemi ngel në kushte jashtëzakonisht të vështira. Të gjithë zotërinjtë që janë këtu, kemi një problem shumë të madh sepse nënstacioni këtu po funksionon përmes punonjësve të tjerë dhe s’duan t’ja dinë në rrojmë apo jo. Nuk na thonë a jemi në listë apo jo.

Nuk është problemi se kemi ngecur vetëm tani. Që nga 2015-ta. Ndalej uzina, ndalej rroga. Ne na thonin do rrini në punë, nuk do lëvizni nga puna. Na mashtronin do jua japim sot e do jua japim nesër. Në dhjetor u ndërpre edhe kontrata. S’kemi ça bëjmë, ujë e drita do populli. Nuk dimë çfarë zgjidhje të bëjmë.

Se jemi nëpunës nuk do t’ja dijë njeri fare nga shteti. Një të marrë votat, në 4 vjet nuk i sheh më me sy. Pushtetarët nuk duken më këtu. Ju falemunderit vetëm gazetarëve që na kanë ardhur këtu. Dhe është dhe policia që na ruan sepse ne jemi kriminela.”– tha grevisti.

Stacioni i pompimit të ujësjellësitdhe nënstacioni elektrik në Poçem furnizon me ujë dhe energji elektrike një pjesë të fshatrave të Mallakastrës dhe qyteti i Ballshit. Ai është nën varësinë e uzinës së naftës në Ballsh, e cila për shkak të problemeve të shumta ekonomike ka ndryshuar disa herë pronar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *