Pekini i ka urdhëruar të gjithë qytetarët që të kthehen në qytet e të hyjnë në karantinë për 14 ditë, ose në të kundërt rrezikojnë të ndëshkohen.
Siç shkruan BBC, kjo është përpjekja e fundit për të përmirësuar situatën me koronavirusin e ri vdekjeprurës.
Banorëve iu kërkua që “të vetë-vendosen në karantinë ose të shkojnë në vendet e caktuara nga shteti si karantinë” pasi u kthyen në kryeqytetin kinez nga pushimet.
Kjo masë vjen pasi Egjipti konfirmoi rastin e parë të koronavirusit në Afrikë. Mbi 1.500 njerëz kanë humbur jetën deri sot nga virusi, i cili e ka origjinën në qytetin e Wuhan-it në Kinë.
Njoftimi i sotëm vjen pasi banorët u kthyen nga pushimet e Vitit të Ri Lunar, pushime që u zgjatën për shkak të shpërthimit të epidemisë.
Më shumë se 20 milion njerëz jetojnë në Pekin. Komisioni kombëtar i shëndetësisë raportoi 143 vdekje të reja vetëm brenda ditës së shtunë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në total në 1.523. Ndërkohë 2,641 persona të tjerë janë konfirmuar si të infektuar, duke e çuar numrin e të infektuarve në 66,492.
Jashtë Kinës, ka pasur më shumë se 500 raste me koronavirus në 24 vende, dhe tre vdekje: në Hong Kong, Filipine dhe Japoni.