Vendosni fjalën kyçe....

Joe Biden për herë të parë pranon “gabimin e madh” të Barack Obamës


 

Për herë të parë kandidati demokrat për president Joe Biden, ka bërë një kritikë ndaj qeverisjes së ish-presidentit amerikan Barack Obama dhe kjo pasi ka pësuar një humbje të thellë në dy shtete, në Iowa dhe në New Hampshire.

Siç shkruan AP, Biden ka kritikuar politikën e imigrimit të administratës Obama, duke thënë se ish-presidenti ka bërë një “gabim të madh” kur ka vendosur për të deportuar qindra mijëra njerëz pa të dhëna kriminale.

“Unë mendoj se ishte një gabim i madh. Kaloi shumë kohë për ta rregulluar.”– tha Biden në një intervistë për Jorge Ramos.

Në deklaratat e shkruara të fushatës së Biden, ishin pranuar me “dhimbje” dëbimet që ndodhën në kohën kur ai ishte zv.president.

Por vetë Biden nuk kishte shprehur keqardhjen e tij personale e këtë e bëri gjatë intervistës 20-minutëshe.

Pjesët e plota të intervistës do të transmetohen në ditët e ardhshme në Univision, ndërkohë që Biden dhe rivalët e tij garojnë në Nevada, ku ka një popullsi të konsiderueshme latine.

Megjithatë Biden tha se administratat e mëparshme kishin “dëbuar dy herë më shumë njerëz” sesa Obama, një pretendim që ai nuk mundi dot ta mbështeste me të dhëna federale. Ai shtoi se administrata e Obamës nuk i “vendos fëmijët në kafaze“, siç ka bërë Trump sipas tij. Duket se kjo është një përpjekje për të fituar mbështetjen e latinëve në Nevada, pasi në dy garat e mëparshme ai dështoi duke siguruar shumë pak vota, e në veçanti në New Hampshire ku doli i pesti, pas Bernie Sanders, Pete Buttigieg, Amy Klobuchar dhe Elisabeth Warren.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *