Mbi 2,400 shtëpi mund të preken nga ajo që parashikohet si përmbytja e tretë më e keqe në historinë e Mississippi-t.
Guvernatori i shtetit Tate Reeves shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të shtunën në mes të parashikimeve se lumi Pearl mund të dalë nga shtrati dhe të shkaktojë përmbytje.
“Kjo është një përmbytje historike, e paprecedentë. Me parashikimet që tregojnë potecialin që të bëhet përmbytja e tretë më e keqe në historinë e shtetit tonë, unë kam shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për të shpërndarë burimet e nevojshme për t’u kujdesur për të gjithë qytetarët e prekur”- tha Reeves, citon CBS.
Lumi Pearl, i cili përshkon kryeqytetin e shtetit Jackson, pritet të ngrihet deri në 11 metra të dielën, sipas zyrtarëve të qytetit.
Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar se do të jetë përmbytja më e keqe e shtetit në gati 40 vjet. Në dimrin e 1982-it dhe pranverën e 1983-it, janë dy përmbytjet që mbahen si më të këqijat në Mississippi.
Të premten u dha një urdhër i detyrueshëm evakuimi për banorët në disa zona. Atyre u është kërkuar të evakuohen para se uji të arrijë në shtëpitë e tyre.
“Qytetarët që jetojnë në zona me shtresa të ulëta duhet të marrin masa paraprake për të lënë vendbanimin e tyre jo më vonë se të shtunën, 15 shkurt 2020”, thuhet në një paralajmërim.
Reeves e quajti këtë fundjavë “të pasigurt”, por tha se shteti i ka sjellë “të gjithë për të ndihmuar”.