Kina ka njoftuar një rënie të numrit të rasteve të reja që janë prekur nga koronavirusi për të tretën ditë radhazi.
Këtë të dielë, autoritetet raportuan 2,009 raste të reja të të infektuarve dhe 142 viktima brenda 24 orëve në të gjithë vendin.
Siç shkruan BBC, në total më shumë se 68,000 njerëz janë infektuar në Kinë, ndërsa numri i përgjithshëm i vdekjeve ka shkuar në 1.665.
Ndërkohë jashtë Kinës ka pasur më shumë se 500 raste të të infektuarve në gati 30 vende. Katër njerëz kanë vdekur, një në Francë, një në Hong Kong, një në Filipine dhe një tjetër në Japoni.
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, tha se rënia e rasteve të reja tregon “se në përgjithësi epidemia është e kontrollueshme”.
“Ne kemi ndërmarrë përpjekje kaq të plota parandaluese dhe kontrolli, përpjekje që janë kaq gjithëpërfshirëse, sa që nuk shoh ndonjë vend tjetër që mund ta bëjë këtë”- tha ai.
Ndërkohë, numri i njerëzve që kanë rezultuar pozitivë pas testeve për koronavirusin në anijen që po mbahet në karantinë në një port japonez, është rritur në 355.