Anëtarët e një grupi të ekstremit të djathtë të arrestuar në Gjermani, akuzohen se po planifikonin sulme ndaj xhamive, politikanëve dhe azilkërkuesve.
BBC shkruan se të 12-të personat e arrestuar, që dyshohet se i përkisnin grupit Der harte Kern u arrestuan të premten. Sipas gazetës Welt am Sonntag, një burrë tjetër që besohet të jetë pjesë e grupit është ende në arrati.
Gjermania vitet e fundit ka parë një rritje të mbështetjes për të djathtën ekstreme, veçanërisht në lindjen ish-komuniste të vendit.
Autoritetet janë duke u përpjekur të shkatërrojnë ekstremin e djathtë të vendit që nga vrasja e politikanit Walter Luebcke dhe pas një sulmi ndaj një sinagoge në qytetin lindor Halle vitin e kaluar.
Katër prej burrave, të gjithë shtetas gjermanë, u arrestuan javën e kaluar me dyshimin se formuan grupin Der harte Kern; tetë të tjerët dyshohen se i kanë siguruar grupit para, armë dhe mbështetje.
Burrat thuhet se u takuan duke komunikuar me mesazhe në WhatsApp dhe formuan organizatën shtatorin e kaluar. Besohet se ata kanë lidhje me Ushtarët e Odin, një tjetër grup i ekstremit të djathtë i themeluar në Finlandë pesë vjet më parë.
Udhëheqësi i grupit gjerman, dyshohet se është një 53-vjeçar i njohur si Werner S, banues në qytetin jugor të Ausburg.