Vendosni fjalën kyçe....

U lajmëruan se do t’u shembin sot shtëpitë, banorët e Astirit në protestë


Pas disa sinjalizimeve se mund të kishte ndërhyrje nga IKMT-ja për shembjen e shtëpive që preken nga projekti i Unazës së Re, një grup banorësh kanë dalë për të protestuar e për t’i bllokuar grupet e IKMT-së.

Ata janë mbledhur që në orën 6:00 por punonjësit e IKMT-së nuk kanë ardhur deri tani.

Banorët pretendojnë se janë lajmëruar vetëm verbalisht që të enjten por jo përmes një shkrese dhe e konsiderojnë anti-ligjore ndërhyrjen.

 “Prej më shumë se një viti kemi kundërshtuar këtë projekt, edhe sot u mblodhëm për ta kundërshtuar. Ato nuk paskën ardhur, por eksperienca tregon se mos vijnë sot do të vijnë nesër. Mendojnë se kanë fituar betejën me banorët e Unazës së Re, vijnë si banditë, nuk lajmërojnë banorët për prishjen e shtëpive”, tha njëri nga banorët për FaxNews.

Në mbështetje të tyre ka shkuar edhe ish-deputeti demokrat Klevis Balliu, i cili ka akuzuar qeverinë, policinë dhe institucionet e tjera se do të mbajnë përgjegjësi.

Ai kujtoi zotimet se Partia Demokratike do t’i qëndrojë kontratës që ka lidhur me banorët për të bërë kompensimin 100% të pronave kurdo që të vijë në pushtet.

“Përpara se qytetarët e Tiranës të shikojnë rrugën do të shikojnë gradaçelat që janë në ndërtim, në të njëjtën distancë që janë shtëpitë e këtyre banorëve nga rruga, që do të shemben. Nuk asnjë diskutim se ky është tender fiktiv, se kur bën një kompani ofertë zero, siguron tjetrën. Ku është ky shtet, që nuk merr parasysh akuzat?

Ku janë prokurorët? Në këtë zonë ka disa prokurorë që banojnë, dhe shtëpitë e këtyre prokurorëve nuk preken? Nga asnjë projekt. Por preken shtëpitë e qytetarëve të pambrojtur. Banorët i siguroj, se kontratën që kanë me PD-në, që nuk tërhiqet kurrë, do i qëndrojë në çdo pikë me heronjtë e Unazës së Re, që kanë rezistuar mbi një vit.

Mbështetja e PD-së është pa limit. Ata që do të vijnë të kryejnë këtë krim shtetëror, i siguroj për një gjë, koha kur nuk mbahet përgjegjësi ka ikur, prandaj do të mbahet përgjegjësi nga OPGJ-të, deri te drejtoria e policisë për kallëzime të pavërteta, drejtorët e ARRSH-së, ministrat dhe kryeministrat, do të vendosen para drejtësisë. Këtu bëhet fjalë për jetën e qytetarëve”– tha Balliu.

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *