Kryedemokrati Basha ka paralajmëruar kryeministrin Rama lidhur me përpjekjen e tij për kapjen e Gjykatës Kushtetuese se i ka bërë hesapet gabim.
Kreu i selisë blu tha se nuk ka asnjë forcë në botë që mund ta ndalë rotacionin, duke shtuar se opozita do vijojë bashkëbisedimin me qytetarët për të paraqitur ofertën e saj qeverisëse.
‘Nuk ka forcë mbi këtë dhe që do ta ndalë rotacionin. Edi Rama i ka bërë hesapet gabim. Nuk ka forcë mbi tokë që ta ndalë rotacionin. Unë mbetem i përkushtuar që kjo të vijë pa kosto për shqiptarët dhe do të bëj gjithçka që kjo të vijë me koston më të vogël për shqiptarët. Dua të konfirmoj vendosmërinë tonë për të ndjekur pikë për pikë udhërrëfyesin gjerman për të dalë nga kriza, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për ne ky parlament është shpërndarë më 18 shkurt 2019. Çdo vendim i marrë prej tij është nul. Rotacioni është i pashmangshëm. Nuk do të këtë forcë mbi tokë që do ta ndalë ardhjen në pushtet të opozitës së bashkuar me votën e qytetarëve. 9 pikat e Bundestagut janë të panegociueshme. Ne nuk do të ndalojmë para asnjë force. Ne do të vazhdojmë bashkëbisedimin me qytetarët dhe pastaj do të shpalosim ofertën tonë.’ – tha ndër të tjera Basha.
Edhe në disa deklarata të mëpërparshme, Basha e ka paralajmëruar kreun e qeverisë se i ka bërë hesapet gabim.