Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi për donacionet: Faleminderit miqve por notat e entuziazmit mbaruan, të nisë përgjegjësia


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka dalë sot në një deklaratë për mediat për të falenderuar shtetet të cilat dhanë kontributin e tyre në Konferencën e djeshme të Donatorëve, për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë për procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Mirëmëngjes, më lejoni që në emër të LSI-së, nga selia e saj të falenderoj dhe të jem mirënjohëse për mbështetjen dhe ndihmën e miqve tanë europianë e jo vetëm, por nga gjithë bota, që treguan në takimin e  djeshëm në kuadër të ndihmës për Rimëkëmbjen e Shqipërisë por që më shumë shkonte për rimëkëmbjen e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 29 nëntorit.

Kjo është më shumë se një falenderim por është një shpresë e cila do t’ju japë shqiptarëve forcën e kurajon për të vazhduar betejën e tyre për t’ju treguar se nuk janë vetëm, por se janë gjithmonë të përkrahur dhe në mbështetje nga popujt e tyre, nga BE dhe institucionet ndërkombëtare.

Takimi i djeshëm tregoi qartë se nuk ka asnjë lloj paragjykimi ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve por përkundrazi, ata i duan dhe i respektojnë shqiptarët dhe biles ndjejnë edhe detyrim për t’i ndihmuar.”– tha Kryemadhi.

Pas këtij falenderimi, kryetarja e LSI-së theksoi se tani mbaroi koha e entuziazmit dhe se qeveria duhet të nisë të marrë përgjegjësitë e saj. Kryemadhi tha se LSI do të ndjekë hap pas hapi çdo projekt për të parë nëse këto para që u mblodhën dje do të shkojnë vërtet për familjarët që mbetën të pastrehë pas tërmetit apo për fluturimet dhe zyrat e luksit të qeveritarëve.

“Ajo që dua të theksoj është që notat e entuziazmit tashmë mbaruan, por duhet të fillojë përgjegjësia dhe përgjegjshmëria e qeverisë shqiptare. Dje në takim, në atë çfarë është deklaruar, për shqiptarët dhe shtëpitë në rindërtim do të shkojnë 265 milionë euro, të cilat janë para që do t’u krijojnë mundësi që shqiptarëve dhe familjarët që kanë humbur shtëpitë e tyre të mos vazhdojnë më të paguajnë kreditë e kripura të cilat janë ngritur pas tërmetit, do të thotë që të ndërtohen sa më shpejt shtëpitë e tyre, që jo t’i kapi dimri i vitit tjetër, por dhe duke dalë pranvera e këtij viti, ata të hyjnë të lumtur në shtëpitë e tyre, sepse takimi i djeshëm ia dha këtë shans dhe mundësi shqiptarëve që ata sa më shpejt të hyjnë në banesat e tyre.

Por nga ana tjetër sigurisht që buzëqeshja e kryeministrit tonë ishte shumë e madhe sepse prej vitesh po kërkon të marrë kredi nëpër bankat dhe institucionet ndërkombëtare në mënyrë të tillë për të paguar pagat dhe për të paguar dhe shpenzimet administrative.

Kishim një shumë prej 885 milionë euro të cilat janë në formë huaje, në formë borxhi, të cilat janë para që do t’i paguajnë shqiptarët në vitet e ardhshme me taksat tona dhe me paratë tona dhe do t’i paguajnë fëmijët e shqiptarëve.

Prandaj është shumë e rëndësishme për të pasur një institucion monitorimi, të pavarur, me ekspertë të cilët do të bëjnë monitorimin e të gjithë këtij projekti sepse ajo që është më e rëndësishme është që besimi i shqiptarëve tek kjo qeveri ka humbur.

Ajo që tha dhe Mathew Palmer, dje në konferencë, SHBA do të themelojnë me paratë që kanë dhënë dje Akademinë e Transparencës e cila do të ndihmojë Shqipërinë për administrimin në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse të donacioneve pas tërmetit dhe fondeve të tjera publike.

Gjë që tregon shumë qartë se shqiptarët janë mësuar se paratë e tyre nuk shkojnë më në shërbim të tyre por në xhepat e Rilindjes. Prej shumë kohësh kjo qeveri e ka treguar se është e paaftë për të menaxhuar buxhetin e shqiptarëve, jo vetëm që nuk ka krijuar vende pune por përkundrazi ka mbyllur vendet e punës, kjo qeveri ka treguar se është e paaftë t’u shërbejë shqiptarëve. Ajo që ne duam të theksojmë është që takimi i djeshëm ishte një takim shumë i rëndësishëm për t’i thënë shqiptarëve se nuk janë vetëm në betejën e tyre përballë një grupi ndjerës që nuk ndjejnë dhimbje por përkundrazi kërkojnë të përfitojnë nga fatkeqësia e tyre. Ne do jemi të gatshëm dhe vigjilentë për të ndjekur hap pas hapi çdo projekt për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve, të shkollave, kopshteve, kisha e xhamive. Absolutisht do të ndjekim hap pas hapi nëse kjo qeveri këto para që dje Europa ua dha shqiptarëve do t’i përdori për fluturimet e tyre luksoze, zyrat e tyre luksoze apo investimet e tyre të luksit të administratës. Presim me padurim të shikojmë sa më shepjt shtëpitë e para e ndërtesat e para dhe shqiptarët që humbën banesat të jenë të strehuar dhe fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë.”– tha Kryemadhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *