Vendosni fjalën kyçe....

PD çon në SPAK koncesionin e check up-it, 7 akuza për Beqajn, Manastirliun, Nushin dhe 10 të tjerë


Partia Demokratike ka dorëzuar sot në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), kallëzimin penal për koncesionin e check up-it të zonjës Vilma Nushi.

PD ka kallëzuar në SPAK të paktën dhjetë persona, mes të cilëve ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ministren aktuale të Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe aksioneren e kompanisë përfituese të check up-it, Vilma Nushi.

Partia opozitare e konsideron këtë koncesion si një nga vendimet më korruptive të qeverisë Rama, dhe drejton 7 akuza ndaj personave të përmendur, që nga korrupsioni aktiv dhe pasiv, shpërdorimi i detyrës deri tek përfitimi i paligjshëm.

Në kallëzim evidentohet se Ministria e Shëndetësisë ka shkelur procedurat ligjore për shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, si dhe ka shpallur fitues ofertuesin me çmimin më të lartë, duke sjellë dëm të lartë financiar për Buxhetin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor.

 “Sipas provave të administraura rezulton se Ministria e Shëndetësisë, ka pasur ngut të pashpjegueshëm për të përfunduar, në mënyrën e parapërcaktuar, këtë procedurë koncesionare. Ajo ka prezumuar mungesën e ankimit nga operatorët e tjerë, fakt ky që provon se e gjithë procedura koncesionare ka qenë fiktive dhe fituesi ishte paracaktuar” – thuhet në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

 Sipas PD-së, funksionarët publikë nuk kanë ushtruar kontrolle apo kanë lejuar vazhdimin e shkeljeve të kontratës, duke i sjellë një dëm të jashtëzakonshëm qytetarëve shqiptarë dhe financave të shtetit.

“Kjo nuk kryhet vetëm si pasojë e paaftësisë, por ka në bazë një interes financiar dhe ekonomik, që i detyron të mos kryejnë detyrën funskionale dhe duke lejuar shkeljet e jashtëzakonshme të kontratës”– thuhet në kallëzimin penal.

 Opozita konsideron se të gjitha shkeljet e kryera kanë sjellë dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit dhe ka cenuar interesin publik.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *