Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja , paralajmëroi rrëzimin e dekretit të presidentit Meta në rast se ky i fundit nuk i dekreton ndryshimet për ligjin e Gjykatës Kushtetuese.
Ai deklaroi se Shqipëria është Republikë Parlamentare dhe shpërndarja e Parlamentit nga ana e Presidentit është absurde për t’u menduar dhe shkelje e rëndë.
‘Për presidentin e kam të qartë përgjigjen, kjo mazhorancë do të zbatojë kushtetutën, ligjet e vendit dhe rregulloren e kuvendit. Nëse presidenti në vazhdën e shumë ligjeve që nuk i dekreton dhe ia kthen përsëri kuvendit, kuvendi do të rrëzojë dekretin e presidentit.’ – tha Manja.
Ai tha se ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese bëhen me qëllimin e zhbllokimit në rastin e ndonjë situate konfliktuale siç është rasti i betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
‘Nisma për ndryshime në ligjin e Gjykatës Kushtetuese është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë më 6 dhjetor të vitit 2019, kuvendi u shpërnda në 18 dhjetor të vitit 2019 sepse u mbyll sesioni i vjeshtës dhe rifilloi punën sipas rregullores së Kuvendit më 20 janar dhe projektligji që ne miratuam në kuvendin e Shqipërisë, kaloi në të gjitha filtrat dhe procedurat parlamentare dhe ishte një ndryshim normal, ishte një mekanizëm për zhbllokimin e një situate konfliktuale siç është rasti i betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Nuk ia mohon kushtetuta të drejtën e dekreteve presidentit edhe në rastin e ligjit për Gjykatën Kushtetuese presidenti është i lirë të ushtrojë atributin e vet kushtetues, ta dekretojë ose jo por nuk ia lidh dot duart parlamentit në një republike parlamentare për të miratuar ato ligje për të cilat është votuar parlamenti. Lidhur me shpërndarjen e parlamentit nga ana e presidentit, edhe në këtë rast kushtetuta e ka bërë të qartë se në cilat raste shpërndahet parlamenti, është diçka absurde ta mendosh. Besoj do të ishte shkelja më e rëndë, atentati më i rëndë që mund t’i bëhet Kushtetutës së vendit. ‘ shtoi Manja.