Deputeti socialist Spartak Braho ka komentuar deklaratat e presidentit Ilir Meta lidhur me një grusht shteti nga ana e maxhorancës.
Gjatë mbledhjes në Komisionin e Sigurisë, ku po diskutohet akti normativ i qeverisë për paketën Anti-KÇK, Braho tha se ky pretendim ishte qesharak.
“Çuditem me një gjë, nuk e kuptoj alarmin e opozitës dhe kreut të shtetit se po bën grusht shteti Edi Rama. Si mund të bëjë grusht shteti Edi Rama kundër vetes së tij? Opozita mund të bëjë grusht shteti. Është jo vetëm qesharake por një lloj justifikimi. Jam deputet i vjetër dhe ka pas raste kur Sali Berisha ka tentuar grusht shteti. Si mund të bëjë maxhoranca grusht shteti kur pushtetin e ka.” u shpreh Braho.
Ndërsa fliste për aktin normativ të qeverisë për Operacionin Forca e Ligjit, Braho i shprehu dhe një shqetësim zv.ministres Rovena Voda, një merak për të cilin tha se kishte folur edhe me ministrin Sandër Lleshaj.
“Zonja zv.ministre kam një merak, bëni kujdes për modealitetiet dhe procedurat e aplikimit të aktit duhet të jenë serioze e të goditura dhe të studiuara, kam biseduar me ministrin tuaj për një rast që ishte flagrant, kjo ishte porosia ime”- tha Braho.