Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar të martën pasdite se ai e di se kush është autori Anonim që shkruan kundër tij nga brenda administratës.
“E di kush është”- u tha Trump gazetarëve para se të hipte në avionin Air Force One, shkruan Daily Mail.
Por kur gazetarët i kërkuan t’i zbulonin për të ndarë emrin e personit, presidenti tha: “Unë nuk mund t’jua them këtë, por unë e di kush është. Por ne nuk do të futemi në këtë”.
Presidenti vazhdoi të thoshte se njerëzit nuk e besojnë atë çfarë Anonimi thotë: “Njerëzit e dinë që është një mashtrim. Unë e di kush është dhe e di se kush janë disa nga personat që kanë publikuar. Por disa prej publikimeve nuk ekzistojnë. Janë shpikur nga shtypi.”
Në rrjet komentohet se Anonimi në fakt është një grua, zëvendës këshilltarja e Sigurisë Kombëtare, Victoria Coates. Trump nuk pranoi të komentojë thashethemet se ajo është Anonimi dhe shtoi se kur të dojë të ndajë diçka me median, ai do ta bëjë.
I njohur si Anonimi, një person nga brenda administratës së Trump-it publikoi në shtator të vitit 2018, një opinion në gazetën New York Times, dhe në vitin 2019 publikoi librin e quajtur “A Warning” ose në shqip “Një paralajmërim”.
Personi anonim shkruante se përpjekja e një rrethi të ngushtë zyrtarësh për ta hequr Trump-in nga presidenca u hodh poshtë, për të shmangur një krizë kushtetuese.
Shumë e kanë kritikuar atë si një person pa kurajo dhe oportunist, për shkak se nuk del hapur.