Mes qeverisë dhe Presidencës tashmë është shpallur “lufta” pas thirrjes për tubim për mbrojtjen e Kushtetutës nga ana e Kreut të Shtetit në 2 mars.
Më herët pati një përplasje në distancë mes Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënësit të Metës, Tedi Blushi.
Tashmë përplasja e dytë ka ardhur pas deklaratës së Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj i cili ironizoi thirrjen për tubim nga Presidenti duke thënë se “Policia e Shtetit do jetë e para në histori të planetit që do garantojë një tubim antiqeveritar të Kreut të Shtetit.
“Koha për të kornizuar me ligj funksionimin e institucionit të Presidentit! Prej 20 vjetësh diskutohet dhe harrohet. Por siç po duket deri në dhimbje tanimë, ideja se kreu i shtetit është individ i vetërregullueshëm, ka vdekur! Republika Parlamentare nuk diskutohet, respektohet.
Fakti që Policia e Shtetit duhet të hyjë në historinë e planetit si e para polici në botë që garanton tubimin antiqeveritar të kreut të shtetit, flet më shumë se një miliardë fjalë për çrregullimin e skajshëm të zotërisë që e ka kthyer Presidentin në një absurditet folklorik”-shkruan Lleshaj.
Nga ana tjetër Tedi Blushi nuk ka nguruar të kthejë përgjigje duke e konsideruar Ministrin një gënjeshtar i cili tentoi të hyjë në dikaster me kamuflazh, duke i bërë thirrje se rendin në 2 mars do e garantojë Presidenti bashkë me popullin.
“Asnjë sekondë për të humbur me “Gjeneralin” nën poture.
Si mund të bëjë moral për Kushtetutën një gënjeshtar që donte të hynte në shkelje të Kushtetutës me kamuflazh në zyrën e ministrit?
Qetësohu “Gjenerali” nën poture: Rendin në 2 mars e garanton Presidenti bashkë me popullin”-shkruan Blushi.