Naftëtarët e Ballshit kanë hyrë sot në të tretën ditë të grevës së urisë. Grevistët shprehen se janë të vendosur të vijojnë grevën edhe pse një pjesë e tyre kanë shfaqur probleme shëndetësore.
“Dje kam qenë dy herë i sëmurë, me tensionin 8.6, edhe tani që po flas nuk ndihem mirë. Por ne do te jemi këtu deri në vdekje, unë isha atje që mora serumin dhe erdha prap pranë shokëve dhe do qëndroj këtu deri në vdekje për bukën e fëmijëve të mi. I lutem kryeministrit të marrë masa, se këtu ne e kemi vendosur. Përfaqësojmë 850 punëtorë të rafinerisë së Ballshit, por nuk do të tërhiqemi, deri në vdekje jemi këtu”.- tha një nga naftëtarët e sëmurë në një prononcim për FaxNews.
Një tjetër grevist theksoi se janë në protestë për shlyerjen e pagave të prapambetura dhe nisjen e punës sa më shpejt të jetë e mundur. Ai thekson se nuk i interesojnë kushtet e grevës, por vetëm t’i jepet zgjidhje kauzës së tyre.
“Kauza është e qartë, rrogat e prapambetura dhe vazhdimi i punës. Ka mjek që na qëndrojnë pranë, kishim një shokun tonë me hipertension. Nuk dalim nga kjo dhomë. Ne përfaqësojmë pjesën më të madhe të punonjësve. Nuk kemi ardhur këtu për kushte por për grevë urie, jemi vetëm për pagat dhe vazhdimësi të punës, nuk kërkojmë kushte këtu ku jemi. Familjarët tanë janë jashtë, kemi përkrahje totale edhe nga qyteti. Familja ime përbëhet prej 4 vetash më ka mua si sigurues të të ardhurave, gruaja pa punë, dy djemtë në shkollë, njërit prej tyre ia kam ndërprerë prej një jave studimet. Unë si protestues kam marrë milionë lekë borxh, vetëm për arsye ekonomike, uji pa paguar, pa paguar dritat, pa paguar sinjalin televiziv, fëmijët nga shkolla i kemi hequr, bukë duam të hamë, të sëmurë jemi, i bëjmë thirrje zotit kryeministër dhe shoqatave të shikojnë me përgjegjshmëri këtë grevë. “- tha grevisti nga rafineria e Ballshit.
Grevistët kërkojnë mbështetje nga qeveria, ndërsa ndodhen përballë një situate tejet të vështirë.
Ndërkohë vetëm pak kilometra më larg, punonjësit e nënstacionit të Poçemit kanë hyrë sot në ditën e shtatë të grevës së urisë dhe kërkesa e tyre është e njëjtë, të marrin pagat e prapambetura.