Vendosni fjalën kyçe....

A i ofroi presidenti Trump një pakt faljeje Julian Assange-s?


Në disa media në Britani dhe në SHBA, po qarkullon lajmi se presidenti amerikan Donald Trump i ka ofruar Julian Assange një pakt për ta falur. E kjo në këmbim që Assange të deklaronte se Rusia nuk ishte e përfshirë në publikimet e email-eve gjatë zgjedhjeve të vitit 2016 në SHBA.

Ky pretendim siç shkruan BBC, u bë në një seancë gjyqësore në Londër para se të fillonte një kërkesë zyrtare për ekstradim për Assange-n drejt SHBA-së ku akuzohet për spiunazh.

Avokati i Assange, Edward Fitzgerald QC, tha në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster se kishte prova që ish-kongresmeni Dana Rohrabacher i bëri ofertën në fjalë.

Rohrabacher, i cili njihet për mbështetjen e tij të hapur për presidentin rus Vladimir Putin, vizitoi ambasadën e Ekuadorit në gusht të vitit 2017, ku Assange po qëndronte.

Në atë kohë, Rusia dyshohej për vjedhjen e postave elektronike të Komitetit Kombëtar Demokratik (DNC), të cilat u publikuan nga Wikileaks, megjithëse Assange e ka mohuar përfshirjen e Rusisë.

Fitzgerald tha se avokatja tjetër e Assange, Jennifer Robinson, i tregoi atij se: “Z. Rohrabacher u takua me zotin Assange dhe me udhëzime nga presidenti, ai po i ofronte falje ose ndonjë rrugëdalje tjetër, nëse zoti Assange… do të deklaronte se Rusia nuk kishte të bënte me publikimin e postave elektronike.”

Mirëpo siç shkruan BBC, ish-kongresmeni republikan e ka mohuar që ai ia ka ofruar këtë Assange-s në emër të Trump-it.

“Në asnjë moment nuk kam folur me Presidentin Trump për Julian Assange. Po kështu, unë nuk u drejtova nga Trump ose dikush tjetër i lidhur me të, për t’u takuar me Julian Assange”, tha ai në një deklaratë.

Rohrabacher tha që ai po vepronte në “misionin e tij për gjetjen e fakteve”. Rohrabacher tha se në takimin me Assange, i tha atij se nëse ai mund të siguronte prova se kush i kaloi email-et e demokratëve, ai do t’i kërkonte presidentit që ta falte.

Lidhur me këtë çështje ka patur edhe një reagim nga Shtëpia e Bardhë. Sekretarja Stephanie Grisham tha në një deklaratë: “Presidenti mezi e njeh Dana Rohrabacher, përveçse e di që ai është një ish-kongresmen. Ai kurrë nuk ka folur me të për këtë temë ose pothuajse asnjë temë. Është një trillim i plotë dhe një gënjeshtër totale.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *