Vendosni fjalën kyçe....

Ankimimet në zgjedhje, opozita propozon moratorium për gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor


Opozita ka propozuar një moratorium 4-vjeçar nga Vettingu për gjyqtarët e zgjedhjeve. Grupi politik i reformës zgjedhore, i përbërë nga dy bashkëkryetarët e Komisionit, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, si dhe nga përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, pritet të takohen sot për të diskutuar një nga çështjet kryesore të procesit zgjedhor, ankimimet në gjykatë.

Lidhur me këtë, opozita ka paraqitur një draft ligjor, përmes të cilit thotë se synon zbatimin e rekomandimit të ODIHR-it për këtë çështje.

“Zbatojmë rekomandimin prioritar të ODIHR-it për të nxjerrë procesin nga presioni i vetingut”, thuhet në draftin e përgatitur.

Në draft kujtohen rekomandimet e ODIHR, i cili thotë se Kolegji Zgjedhor ishte nën presionin e Vettingut dhe për këtë shkak nga 8 anëtarë, ai mori vendime me 6 anëtarë. Prishja e këtij mekanizmi ndikon negativisht për një proces të lirë dhe demokratik. Gjithashtu, ODIHR vë në dukje se, për shkak të vetingut, edhe Gjykata Kushtetuese nuk ishte funksionale dhe nuk mundi të shqyrtojë çështje të karakterit kushtetues në raport me zgjedhjet. Për këto arsye, ODIHR bëri rekomandimin prioritar, i cili kërkon që reforma zgjedhore të garantojë një gjykatë funksionale dhe të pavarur në procesin zgjedhor.

Në zbatim të këtij rekomandimi, opozita propozon moratorium 4-vjeçar nga vetingu për gjyqtarët që bëhen pjesë e trupës, e cila do të shqyrtojë ankimimet në procesin zgjedhor.

Opozita gjykon se është aktualisht e pamundur që trupa gjyqësore për zgjedhjet të jetë e pandikuar dhe jashtë presionit të vetingut, siç kërkon ODIHR, pasi procesi nuk ka një radhë të fiksuar se kush gjyqtar kalon në Vetting, duke bërë që të gjithë të jenë të ekspozuar ndaj vendimit të papritur të Komisionit të Vetingut, ndërkohë që gjyqtari mund të jetë duke marrë një vendim të rendësishëm për zgjedhjet.

Kështu PD dhe opozita e bashkuar propozojnë që Vettingu për këta gjyqtarë të nisë me mbarimin e mandatit 4-vjeçar në gjykatën e zgjedhjeve. Sipas llogarive të opozitës, moratoriumi prek një numër të papërfillshëm të gjyqtarëve 2-4 përqind të tyre, në varësi të numrit të anëtarëve të kësaj trupe 8 ose 15.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *