Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar ngjarjen e djeshme, ku një sasi e madhe kokaine u zbulua në një kamion në Maqedoninë e Veriut, i cili kishte kaluar nga Shqipëria.
Berisha thotë me ironi se ky kamion kishte kaluar pushimet në Xibrakë. Sipas Berishës, një pjesë e kokainës është zhdukur.
Ai po ashtu ngre një aludim se kokaina është shkarkuar pikërisht në Xibrakë.
“Super xhalo me 1.3 ton kokaine
Zhduket ngarkesa prej 1.3 tone Kokaine
Miq, nje ngarkese prej 1,3 ton kokaine me vlere tregu 300 milion euro u zbulua sot ne nje magazine ne nje fshat te Maqedonise se Veriut. Ngarkesa ishte shkarkuar nga nje anije ne portin Bar te Malit te Zi. Prej aty kokaina e ngarkuar ne kamion ka hyre nga Hani i Hotit ne Shqiperi dhe pas nje pushimi shplodhes ne Xibrake ka kaluar ne Qaf Thane pa i hyre ferra ne kembe!
Mirepo policia e Maqedonise se Veriut njofton se ajo ka konfiskuar gjithsej 1 kg kokaine nga 1,3 ton qe ishte kokaina ne banane dhe se ka arrestuar dy shofere dhe nje magazinier.
Problemi ketu komplikohet dhe lind pyetja se ku shkuan 1299 kg kokaine. U zhduken gjate rruges nga Qaf Thana ne Shkup? Apo u shkarkuan ne afersi te Xibrakes ku thuhet se prej dy vitesh funksionon nje fabrike e madhe mielli i Partise?!?”- shkruan Berisha.
Kamioni me banane ku u gjet droga ka hyrë dy ditë më parë nga Mali i Zi në Shkodër dhe ka dalë po të njëjtën ditë nga dogana e Qafë Thanës për në Maqedoni. Sipas dyshimeve, droga duhej të përfundonte në Koper (Slloveni).
Ky itinerar ishte zbuluar nga DEA amerikane dhe policia italiane që bashkëpunuan në këtë operacion, ku pasi vunë në vëzhgim trafikantët, kërkuan ndihmën e Shqipërisë. Me ndërhyrjen e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), trajleri me kontejnerët me banane u mbajt në vëzhgim, nga ku rezultoi se nuk kishte lidhje me grupet kriminale shqiptare.
Por kur u kuptua se vendi ynë u përdor thjesht tranzit, pa rënë në sytë e trafikantëve, për të mos devijuar rrugën e tyre, trajleri u la të kalojë për në Maqedoninë e Veriut, ku edhe u bllokua nga autoritetet në një magazinë të madhe frutash në fshatin Krushopek të Komunës së Sarajit në Maqedoninë e Veriut.