Përfaqësuesi i PS-së në tryezën e reformës zgjedhore, Gjiknuri, tha pas përfundimit të mbledhjes së sotme se procesi i vetingut nuk mund të bllokohet për shkak të ngritjes së Kolegjit Zgjedhor.
Ai shtoi se propozimi i PD-së vë në pikëpyetje reformën në drejtësi.
‘Nuk duket normale që procesi i vettingut të bllokohet për shkak të formimit të Kolegjit Zgjedhor. Do ishte e arsyeshme që ata që kanë kaluar vettingun të jenë pjesë e saj dhe gjithashtu të zgjerohet edhe shkalla. Nuk mundet PD të vendosë në pikëpyetje Reformën në Drejtësi dhe ato çfarë kemi arritur. Po ata që kanë kaluar vettingun, madje unë dua të pakësohen anëtarët e Kolegjin Zgjedhor por s’dua që të mbaj qëndrime sepse jemi në negociata. Shpresoj që opozita brenda javës tjetër të sjellë të gjitha propozimet dhe shqetësimet që më pas koha të shfrytëzohet për kompromise.’ – tha Gjiknuri.
Më tej, ish-ministri ceku edhe çështjen e shpërndarjes së parlamentit nga ana e presidentit duke theksuar se PD-ja nuk kishte pse të përfshihej në lojën e presidentit.
‘Unë besoj se PD është për të miratuar Kodin Zgjedhor në bashkëpunim me ne dhe Kuvendin. Nëse vërtet kanë zgjedhur t’i kthehen insitucioneve s’kanë pse përfshihen në lojën e Presidentit. Nuk ka diskutim për qeveri tranzitore, ato gjëra që nuk u arritën me luftë në rrugë s’mund të arrihen me negociata. është diçka e mbyllur, nuk e shoh si problem.’ – tha Gjiknuri.
PD-ja propozoi sot që për gjyqtarët që do të përbënin Kolegjin Zgjedhor, të bëhej moratorium që do i përjashtonte nga vettingu deri në mbarimin e mandatit të tyre 4- vjeçar.
Sipas selissë blu, vettingu ndaj gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor i vë ata nën presion.