Oerd Bylykbashi i PD-së, tha se mbledhja e sotme e tryezës së reformës zgjedhore kishte pasur përplasje të forta mes palëve.
Ndër të tjera ai theksoi se PS-ja nuk e kishte mirëpritur propozimin për moratorium ndaj gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, pasi sipas selisë blu vetingu shton presionin ndaj tyre.
‘Sot opozita bëri propozimin e paketës tjetër në reformën. Ajo ka propozuar 6 paketa dhe në ditët në vijim do jetë edhe një tjetër për financimin e partive. Propozimi i sotëm ishte themelor, e drejta për t’iu drejtuar një gjykate të paanshme dhe të pavarur. Raporti i OSBE/ODIHR konstaton se si nën presionin politik nga Vettingu, Gjykata e Posaçme ishte gjysmake, në periudhën zgjedhore, dhe nën presionin e Vettingut, e për rrjedhojë nuk ishte e paanshme dhe e pavarur. Duke qenë se pa një garanci, procesi zgjedhor nuk mund të jetë kurrë i pavarur, kjo paketë është thelbësore për të arritur kompromisin në Reformën Zgjedhore. Pati reagim shumë të fortë nga mazhoranca, e cila do të vazhdojë të kontrollojë mekanizmat, me të cilat kapin gjyqësorin. Ne këtë nuk do ta lejojmë. Është një proces, që është thelbësisht problematik, ju keni rastin e Dvoranit, që nuk justifikon 100 milionë lekë dhe askush nuk u kujtua ta ankimonte atë vendim të turpshëm dhe sot kemi këtë situatë. Ne propozojmë që të gjithë ata gjyqtarë që nuk i janë nënshtruar procesit të Vettingut, dhe ata që nuk janë zënë në kurth, të jenë gjyqtarët që të zgjidhen me kurth. NË fund të procesit, ata t’i nënshtrohen të gjitha rregullave të Vettingut, në mënyrë që të jenë të pastër. Pra, propozimi ynë nuk i heq të drejtën asnjë të korruptuari për të dalë para drejtësisë’, tha Bylykbashi.