Kina dëbon tre gazetarë të “Wall Street Journal”


Kina ka urdhëruar tre gazetarë të huaj të Wall Street Journal të largohen nga vendi për shkak të një shkrimi, i cili është konsideruar “racist“.

Artikulli i botuar në 3 shkurt kritikoi mënyrën se si ka reaguar vendi ndaj shpërthimit të koronavirusit vdekjeprurës.

BBC shkruan se Ministria e jashtme kineze tha se i kishte kërkuar gazetës të kërkonte falje disa herë, por ajo kishte refuzuar.

Sipas Wall Street Journal, gazetarëve të cilët nuk ishin ata që e kishin shkruar artikullin, iu dha pesë ditë kohë për t’u larguar nga Kina.

Vendimi i Kinës erdhi një ditë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit shtrëngoi rregullat mbi organizatat e mediave shtetërore kineze që veprojnë në SHBA, duke i klasifikuar ato si misione të huaja.

DASH u kërkoi pesë medieve, përfshirë këtu agjencinë shtetërore të lajmeve Xinhua dhe Rrjetin Global Televiziv Kinez, se ata duhej të paraqisnin listat e të gjithë punonjësve, edhe pse nuk do të kishte asnjë kufizim në raportimin e tyre.

Artikulli i WSJ e quajti përgjigjen e autoriteteve kineze si “sekrete dhe vetë-shërbyese” dhe tha se besimi global ndaj Kinës ishte “tronditur”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Geng Shuang tha se artikulli ishte “racist” dhe mohonte përpjekjet e Kinës për të luftuar shpërthimin e virusit që ka vrarë më shumë se 2,000 njerëz në vend.

“Populli kinez nuk i mirëpret mediat që publikojnë deklarata raciste dhe sulmojnë me qëllim Kinës” – tha Geng, pa përmendur vendimin për dëbimin e gazetarëve.

Kjo është hera e parë në më shumë se dy dekada që gazetarëve me letra kredenciale të vlefshme janë urdhëruar të largohen nga Kina.

Artikulli në fjalë titullohej “njeriu i sëmurë i Azisë”, një term poshtërues i cili përdorej për të përshkruar Kinën në fund të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX. Në atë kohë, fraza i referohej ndarjeve të brendshme dhe pozitës së dobët të vendit në krahasim me fuqitë globale.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *