Mediat gjermane kanë publikuar të tjera detaje lidhur me masakrën që ndodhi mbrëmjen e kaluar në qytetin gjerman të Hanau-t, ku një person vrau 9 persona në dy lokale dhe la të plagosur disa të tjerë.
Autori i dyshuar i identifikuar si Tobias R. Hanau, sipas gazetës Bild kishte lënë një letër rrëfimi dhe një video.
Në letër, Tobias flet mes të tjerash për nevojën për të shkatërruar njerëz të caktuar, dëbimi i të cilëve nga Gjermania nuk mund të arrihet më.
Disa ditë përpara krimit ai kishte publikuar dhe një video në Youtube.
Në këtë video, ai flet në anglisht rrjedhshëm dhe jep një “mesazh personal për të gjithë amerikanët”. Ai u kërkon qytetarëve amerikanë të zgjohen. Në Shtetet e Bashkuara, sipas tij kishte objekte ushtarake nëntokësore, në të cilat fëmijë janë keqtrajtuar dhe vrarë.
Në qytetin Hanau, nëntë persona u qëlluan për vdekje në dy lokacione të ndryshme të mërkurën në mbrëmje.
Disa orë pas krimit, policia zbuloi trupin e personit të dyshuar me armë në shtëpinë e tij. Forcat speciale gjetën gjithashtu një person tjetër të vdekur atje, që mendohet se ishte nëna e tij.
Sipas tabloidit, përveç gjermanit nuk ka përgjegjës të tjerë për ngjarjen.