Organizatat që janë kundër ekstradimit të themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, kanë publikuar pamjet e një sulmi amerikan ndaj civilëve irakianë në vitin 2007.
Ata i projektuan pamjet e publikuara fillimisht nga Wikileaks në vitin 2010, në Pallatin Westminster.
Bëhet fjalë për një sulm me helikopter AH-64 Apache nga ana e ushtrisë amerikane që qëlloi për vdekje një grup civilësh në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, përfshirë dy reporterë të Reuters, pasi i ngatërruan ata me rebelë.
Pamjet u projektuan edhe në muret e burgut Belmarsh në Londër, ku qëndron i burgosur Assange, i cili është në pritje të ekstradimit në SHBA, ku rrezikon deri në 175 vjet burg, nëse shpallet fajtor për të 18 akuzat që janë ngritur kundër tij në SHBA.
Seancat për ekstradimin e tij do të fillojnë javën e ardhshme.