Vendosni fjalën kyçe....

Meta fton qytetarët në protestën e 2 marsit: T’i japim paralajmërimin e fundit kësaj bande


Presidenti i vendit Ilir Meta, ka bërë thirrje edhe njëherë tjetër për një protestë më 2 mars. Sipas presidentit, një bashkim i qytetarëve do ti jepte paralajmërimin e fundit qeverisë, të cilën e quan “banda në pushtet”.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Shqipërisë!

Agresioni pushtues i Rilindjes ndaj të gjithë institucioneve të pavarura në vend është një realitet i hidhur që secili prej jush e ndjen çdo ditë. Por kokëfortësia e saj për të pushtuar me çdo çmim dhe në mënyrë jo vetëm antikushtetuese por edhe mafioze Gjykatën Kushtetuese përbën qartë një grusht shteti, me qëllim instalimin e një diktature të pakicës që ka tmerr nga liria e popullit shqiptar dhe kërkon të zhdukë çdo mundësi demokratike për ndryshim dhe llogaridhënie.

Ndaj ju ftoj të gjithëve në 2 Mars, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” t’i japim paralajmërimin e fundit kësaj bande që nuk ka ditë që nuk përdhunon Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Nuk ka forcë në botë t’i kthejë shqiptarët 30 vite pas për të zbrazur Shqipërinë nga rinia jonë e mrekullueshme dhe për t’ia dorëzuar mafies ndërkombëtare të ardhmen e Atdheut tonë.

Ndaj në 2 Mars të bëjmë një Besëlidhje të Re për t’ia kthyer sovranitetin e humbur popullit shqiptar dhe rivendosur demokracinë, llogaridhënien dhe sundimin e Kushtetutës.

Shqipëria e para!

Shqiptaria e shqiptarëve!”- shkruan Meta.

Ditën e djeshme, presidenti Meta në konferencën për mediat bëri paraqitjen e atyre që i quan prova të reja të grushtit të shtetit të ideuar nga kryeministri Rama dhe mazhoranca.

Në provat e reja të bëra publike, Meta akuzoi mazhorancën për plagjaturë të formulës së re të betimit të anëtarëve të Kushtetueses, ndërsa renditi një seri institucionesh mes tyre KED-në, të cilat nuk kanë dhënë mendim apo janë shprehur kundër mekanizmit të ri zhbllokues të socialistëve. Ai po ashtu bëri thirrje për një tubim më 2 mars, pak metra larg Presidencës, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *