Presidenti Meta u ka bërë thirrje shqiptarëve që të mblidhen në bulevardin Dëshmorët e Kombit në datën 2 mars.
Ai theksoi edhe njëherë të gjitha shkeljet e institucioneve ekzekutive, legjislative e kreut të KED-së, Dvorani, në përpjekjet për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.
‘Si president po bëhem hetues i pavarur i SPAK-ut pa pagesë, pa shpërblim. Dervishaj ka qenë prezent në çdo mbledhje të KED-së dhe nuk ka asnjë anëtar të KED-së që të thotë se është marrë vendim mbi anëtarin e Gjykatës Kushtetuese. Janë bërë që në gusht me dhjetëra shkresa drejtuar të gjitha institucioneve dhe ambasadave ku kërkohej që kishte 12 kandidatë për vakancat por u sollën vetëm 6 për 4 vende. Letra u ka vajtur të gjitha ambasadave që japin 200 milionë euro për reformën në drejtësi dhe asaj të SHBA-së. Presidenti nuk mund të prishë radhën kushtetuese. Ai do shprehej vetëm pasi të ishte shprehur Kuvendi. Radha është shumë e rëndësishme në Kushtetutë dhe është shkruar nga Venecia. Venecia thotë se është shumë e rëndësishme radha. Venecia dhe Kushtetuta në raportin President-Parlament-Gjykatë e Lartë i jep përparësi presidentit sepse është garanti i fundit para Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo e fundit është garanti suprem. Gjykata Kushtetuese është Kushtetuta, është garanti i shtetit, interesave, çështjeve thelbësore të shtetit.’ – tha Meta.
Ai shtoi në fund se presidenti do e mbrojë vendin nga ata që e qeverisën për 50 vjet gjatë diktaturës ndërsa i ftoi edhe njëherë qytetarët që të mblidhen në bulevard më 2 mars.
‘Nga ata që e bënë Shqipërinë mavri për 50 vite të tëra në një regjim që nuk mund të krahasohet as me Korenë e Veriut. Shqipëria nuk do bëhet më kurrë as mavi dhe as mavri, por do bëhet kuqezi. Ky është një popull shqiponjash e nuk do bëhen kurrë sorra. Ato do mblidhen më 2 mars për ta bërë Shqipërinë, kuqezi. Unë i ftoj për fëmijët e tyre. Nëse ata marrin Gjykatën Kushtetuese, atëherë nuk do keni as ku të ankoheni.’ – mbylli Meta deklaratën.