Vendosni fjalën kyçe....

Mosrealizimi me 225 milionë euro i shpenzimeve buxhetore më 2019, cënoi më rëndë investimet kapitale


Shpenzimet buxhetore gjatë vitit 2019 reflektuan dobësitë në grumbullimin e të ardhurave, duke rezultuar me një mosrealizim prej 27,6 miliardë lekësh në raport me planin ose rreth 225 milionë euro.

Mungesa e injektimeve buxhetore të planifikuara për të hedhur në qarkullim nëpërmjet investimeve apo shpenzimeve të tjera është sa 1.6 për qind e PBB-së. Por në raport në faktin e vitit 2018 shpenzimet buxhetore ishin në rritje me rreth 16 miliardë lekë (130 milionë euro) ose 3.3 për qind më të larta se një vit më parë.

Nga të gjitha zërat e shpenzimeve buxhetore, investimet kapitale kishin përformancën me negative si në raport me vitin e kaluar edhe në raport me planin. Gjatë vitit 2019 shpenzimet në këtë zë ishin 74.9 miliardë ose 3.4 miliardë lekë më të ulta se, një vit më parë.

Rënia vjetore me 4.5 për qind e investimeve kapitale erdhi si pasojë e rishikimit me ulje të shpenzimeve në disa projekte që nuk kishin avancuar për shkak të vonesave në kontraktime dhe punime ka shpjeguar më parë Ministria e Financave. Sakaq shkurtimet u bënë të detyruara për shkak të mosrealizimit te të ardhurave buxhetore thuajse me 180 milionë euro.

Duke i krahasuar me planin shpenzimet kapitale më 2019 kanë një hendek të lartë prej 12 për qind ose rreth 11,1 miliardë lekë (91 mln euro).

Ecurinë më të mirë në raport me vitin e kaluar e patën shpenzimet korrente të cilat ishin 19,7 miliardë lekë ( 160 mln euro) ose 4.7 për qind më të larta se një vit më parë.

Kjo ecuri u nxit nga  rritja e alokimeve për pagat e administratës publike për të cilat u shpenzuan 5.3 për qind më shumë se në vitin 2018. Rritja e shpenzimeve të personelit reflektoi rritjen a pagave në sektorë të administratës publike vitin e kaluar.  Në raport me planin shpenzimet e personelit ish 13 miliardë lekë më të ulta ose 3 % me pak .

Gjithashtu shpenzimet operative patën një ecuri pozitive në raport me faktin e vitit 2018 duke reflektuar një rritje me 4 % ose 2 miliardë lekë, por në raport me planin e vitit ato ishin 1.4 % më të ulta.

Shpenzimet për mbrojtjes sociale, ku përfshihen pagesat e pensioneve, ndihma ekonomike etj që është zëri i dytë më i madh i shpenzimeve buxhetore shënoi 175,6 miliardë lekë me një rritje prej 4.2 për qind në raport me vitin 2018.

Rritja erdhi kryesisht nga shpenzimet më të larta për pensionet me rreth 4.5 për qind më shumë se një vit më parë. Pagesat e pensioneve u rriten prej numrit më të lartë të pensionistëve përfitues dhe indeksimit të pensioneve. Por në raport me planin ky zë shënoi një mosrealizim prej 4.6 miliardë lekësh ose 2.6% më pak.

Shpenzimet për pushtetin vendor patën rritje të lartë në raport me vitin 2018, me 11 % më shumë se fakti ose 54 milionë euro. Kjo rritje e pazakonte për pushtetin vendor u nxit nga transferimet e funksioneve nga pushteti vendor tek ai vendor si pasoje e procesit të decentralizimit dhe zgjedhjeve vendore të vitit 2019.

Shpenzimet për interesat e borxhit patën ecuri pozitivë si në raport me faktin ashtu edhe planin.

Ato shënuan një rënie prej 1,3 miliardë lekësh në raport me vitin 2018 ose 3,9 për qind si pasojë e interesave më të ulta të pagesave të borxhit. Në raport me planin e vitit shpenzimet për pagesat e interesit të borxhit ishin gati 5 miliardë lekë më pak ose 12 për qind më të ulta.

Mosrealizimi i shpenzimeve buxhetore me gati 5.9 për qind nga plani erdhi si pasojë e planifikimeve optimiste si në të ardhura si në shpenzime gjatë vitit 2019.

Me gjithë mosrealizimet në fushën e shpenzimeve qeveria nuk arriti të frenonte deficitin buxhetor gjatë vitit 2019. Deficiti u thellua me rreth 5 miliardë lekë, duke arritur në  minus 31.5 miliardë lekë më 2019 nga minus 26,5 miliardë lekë që ishte më 2018.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *