Vendosni fjalën kyçe....

Naftëtarët e Ballshit refuzojnë ndihmën mjekësore: Më mirë të vdesim se të rrimë kështu


Naftëtarët e Ballshit kanë hyrë sot në ditën e katërt të grevës së tyre urisë, e ndërsa situata e tyre vjen drejt përkeqësimit, përveç ushqimit dhe ujit tashmë kanë refuzuar dhe ndihmën mjekësore.

“Jemi të rënduar, me tension, marrje mendësh. Ai shoku ka vjellë 3 herë. E refuzuam mjekësinë sepse ne më mirë të vdesim se sa të rrimë kështu. I bëjmë thirrje në radhë të parë kryeministrit, deputetëve, të vijnë të na shikojnë çfarë halli kemi ne.”– tha një nga naftëtarët në një prononcim për televizionin Ora News.

10 punonjës të rafinerisë së Ballshit gjenden në kushte të rënduara shëndetësore, ndërsa njëri prej tyre është zëvendësuar nga një grevist tjetër, për shkak të gjendjes së tij të rëndë.

Sipas grevistëve, përveç mediave ka shkuar t’i takojë vetëm një përfaqësues i Avokatit të Popullit. Ata shprehen se nuk do të tërhiqen deri në momentin kur të marrin pagat e prapambetura.

“Ne do vazhdojmë këtu deri në fund. O marrim lekët o nuk dalim të gjallë. Se nuk i kërkojmë lëmoshë, kemi punuar. I kemi djersën tonë. Siç i merrni ju, siç i marrin të gjithë shqiptarët i duam edhe ne.”– tha grevisti.

Naftëtarët kanë paralajmëruar se ditën e djelë do të mbahet një protestë, ku do kërkojnë edhe njëherë pagat e prapambetura dhe rinisjen e punës në Uzinës së Ballshit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *