Vendosni fjalën kyçe....

OST e Skerdi Drenovës skualifikon “Siemens” dhe blen transformator 40 mln lekë më shtrenjtë


Një tender, i zhvilluar së fundmi nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), për blerjen e një transformatori me vlerë rreth 3 milionë euro, është shoqëruar me dyshime të forta për procedura të paracaktuara.

Në fund të Dhjetorit 2019, OST e drejtuar nga Skerdi Drenova, një ish-vartës i Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës, ka shpallur fitues të tenderit me fond limit 293 milionë lekë bashkimin e operatorëve “ALB-Star”- “Shansi Invest” dhe “G.M.K”.

“Boldnews.al” ka verifikuar dokumentat e tenderit, të publikuara në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP), në të cilat konstatohen disa të dhëna, të cilat krijojnë dyshime të forta për procedurë jo-ligjore.

Në tenderin rreth 3 milionë euro kanë marrë pjesë 4 konkurentë, ndër të cilët edhe kompania ndërkombëtare “Siemens”, e cila u përfshi në këtë garë, në bashkëpunim me një operator shqiptar.

Institucioni i drejtuar nga Skerdi Drenova ka vendosur skualifikimin e 3 prej konkurentëve, duke shpallur fitues bashkimin e operatorëve që mbeti i vetëm në garë.

Sipas dokumentave zyrtarë, dy prej konkurentëve u skualifikuan pasi kishte mangësi në një seri dokumentash, të paracaktuara në kriteret e tenderit.

Ndërsa i skualifikuari i tretë, bashkimi i operatorëve “Albelettrica & Siemens”, është skualifikuar pasi, sipas OST-së, nuk ka pasur të punësuar me kohë të plotë një inxhinier IT (Teknologji Informacioni).

Bazuar në të dhënat publike, ky konkurrent i skualifikuar kishte paraqitur një ofertë me vlerë rreth 40 milionë lekë (të vjetra) më të ulët se sa vlera që ka ofruar konkurrenti fitues. Konkretisht, konkurrenti fitues ka paraqitur ofertën 284.481.580 lekë (të reja) pa TVSH.

Ndërsa konkurrenti i skualifikuar, “Albelettrica & Siemens”, kishte paraqitur ofertën 280.279.380 lekë (të reja) pa TVSH.

Pra, për shkak të mungesës së një inxhinieri IT, siç argumentohet zyrtarisht, OST vendosi që të shpallë fitues konkurrentin që siguronte transformatorin me një vlerë rreth 40 milionë lekë më të shtrenjtë.

Duket disi e dyshimtë që konkurrenti i skualifikuar, “Siemens”, një kompani me shtrirje të gjerë ndërkombëtare, ka mungesë të profesionistëve IT.

Për më tepër, siç ka mësuar “Boldnews.al”, bashkimi i operatorëve ‘Albelettrica & Siemens”, vetëm për këtë tender, kishin rekrutuar me kontrata shërbimi numrin e nevojshëm për stafit të specializuar në inxhinierinë elektrike.

Por, edhe nëse do të qëndronte argumenti se konkurrentit të skualifikuar i mungonte një inxhinier IT, gjithësesi nuk mund të justifikojë vendimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit për të shpenzuar 40 milionë lekë më shumë.

E gjithë situata krijon dyshime për një lloj abuzimi gjigand me paratë publike, ku, mungesa e një inxhinieri (e cila gjithësesi nuk duket e vërtetë), i kushton taksapaguesve 40 milionë lekë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Boldnews


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *