Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Trump emëron Richard Grenell në krye të Inteligjencës Amerikane


Presidenti i SHBA-së Donald Trump emëroi të mërkurën Richard Grenell-in, si drejtorin e ardhshëm në detyrë të Inteligjencës Kombëtare Amerikane.

Grenell është aktualisht ambasadori i SHBA-së në Gjermani, si dhe i deleguari i posaçëm i Trump-it për dialogun Kosovë-Serbi.

“Jam i kënaqur të njoftoj se Ambasadori ynë shumë i respektuar në Gjermani, Richard Grenell, do të bëhet Drejtor në Detyrë i Inteligjencës Kombëtare. Rick (Richard Grenell) ka përfaqësuar vendin tonë jashtëzakonisht mirë dhe mezi pres të punoj me të. Unë do të doja të falënderoja Joe Maguire për punën e mrekullueshme që ai ka bërë, dhe ne mezi presim të punojmë me të nga afër, mbase në një kapacitet tjetër brenda Administratës!”- shkruan Trump në Twitter.

Washington Post shkruan se është ende e paqartë nëse presidenti Trump synon ta emërojë Grenell-in në postin e lartë në Inteligjencë në një bazë permanente, gjë e cila do të kërkonte konfirmimin e Senatit.

Emërimi i Grenell-it befasoi shumë njerëz në Uashington. Grenell, një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit dhe ekzekutiv i komunikimeve, ka qenë një person i besuar dhe këshilltar ad hoc i Trump-it për çështjet përtej punës së tij si ambasador në Berlin.

Ai është një konservator i politikës së jashtme dhe njëherësh mjaft kritik i mediave, si dhe një mbështetës i fortë i Trump-it në mediat sociale. Grenell ka ngjallur polemika në rolin e tij diplomatik, por gjithashtu ka fituar shumë lavdërime në Gjermani dhe gjetkë për marrjen përsipër të çështjeve të tilla si të drejtat e homoseksualëve në Europën Lindore dhe tensionet e gjata midis Kosovës dhe Serbisë.

Grenell do të ishte anëtari i parë homoseksual i kabinetit të Trump. Ai nuk i është përgjigjur ende një kërkese për koment.

Sipas Washington Post, Trump po shtyhej deri tani nga disa zyrtarë në bashkësinë e inteligjencës për të emëruar drejtorin aktual të shërbimit të inteligjencës, Joseph Maguire, për të marrë detyrën permanente.

 Por presidenti është i fiksuar në emërimin e njerëzve që ai i beson se janë besnikë ndaj tij. Në një deklaratë për mediat, Maguire tha se “ka qenë nder të punoj së bashku me burrat dhe gratë e komunitetit të inteligjencës” dhe shtoi se ai ishte “i përkushtuar për t’i udhëhequr ata derisa ambasadori Grenell të marrë rolin”.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Washington Post / Përshtati në shqip me shkurtime Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *