Nëntë njerëz kanë mbetur të vrarë në dy bare në qytetin gjerman, Hanau. BBC shkruan se disa persona të tjerë u plagosën gjithashtu pasi një njeri i armatosur qëlloi me armë në orën 22:00 të mërkurën.
I dyshuari u gjet më vonë i vdekur në shtëpinë e tij, së bashku me trupin e një personi të dytë.
Sipas policisë gjermane, duket se nuk ka pasur autorë të tjerë megjithatë hetimi është në vazhdim.
Gazeta Bild raportoi se i dyshuari ishte një shtetas gjerman i cili kishte leje për armë zjarri, dhe se karikatorët dhe armët ishin gjetur në makinën e tij.
Të shtënat e para ndodhën në shisha-bar Midnight në qendër të qytetit, e më vonë në Arena Bar & Cafe në lagjen Kesselstadt të të njëjtit qytet. Klientela në këto dy bare thuhet se ishte kryesisht kurde.
Fillimisht policia mendoi se mund të kishin qenë shumë njerëz të armatosur. Në fillim numri i të vdekurve ishte tetë, por u rrit në nëntë në orët e para të mëngjesit pasi një nga të plagosurit ndërroi jetë në spital.