Një sulm i madh kibernetik që ka prekur më shumë se 2,000 faqe internet në Gjeorgji një vit më parë, është kryer nga Rusia, kanë thënë Gjeorgjia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Qeveria britanike ka thënë se inteligjenca ushtarake ruse (GRU) ka qenë mbrapa “tentimeve për të dëmtuar sovranitetin e Gjeorgjisë”.
Ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab e ka përshkruar këtë incident si “absolutisht të papranueshëm”.
Ministria e Jashtme ruse ka mohuar të japë koment, ka thënë agjencia e lajmeve RIA.
Qendra Kombëtare për Siguri Kibernetike e Britanisë ka gjetur se GRU “ka qenë pothuajse me siguri” mbrapa sulmeve që kanë prekur mijëra faqe, përfshirë atë të presidentit dhe transmetuesit televiziv kombëtar.
Ky njëherësh është konsideruar shembulli i parë i madh i një sulmi të tillë të kryer nga GRU, prej vitit 2017.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo po ashtu ka dënuar sulmet duke thënë: Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Rusisë të ndalë këtë qasje në Gjeorgji dhe kudo”.
Në shumë raste, faqet online janë zëvendësuar me një fotografi të ish-presidentit gjeorgjian, Mikheil Saakashvili, me përshkrimin “Unë do të kthehem”.
Saakashvili ka shërbyer dy mandate si president në Gjeorgji në periudhën 2004-2013.
Ai ka hequr dorë nga shtetësia gjeorgjiane më 2015, kur është bërë guvernator i rajonit ukrainas, Odesa.