Partia Demokratike organizoi ditën e sotme në bashkëpunim me Konrad Adenauer Stiftung një tryezë për shëndetësinë.
Nga kjo tryezë, Berisha, Basha dhe eksponentë të tjerë të PD-së hodhën akuza në drejtim të mazhorancës se ka dështuar në sektorin shëndetësor.
Por nga ana tjetër për të përligjur punën e tyre, kreu i qeverisë Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu kanë reaguar duke publikuar disa foto nga ambientet e mëparshme të spitaleve apo qendrave shëndetësore dhe atyre të tanishme.
“DJE–SOT, ose dallimi mes atyre që vetëm flasin e s’dinë as të punojnë, as të pushojnë dhe nesh, që themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi” – shkruan Rama.
“Fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar gjendjen e shëndetësisë, në kohën e katrahurës së atyre që sot paturpësisht shpallin vizione për shëndetësinë.
Ja, këto pamje/fakte ilustrojnë qartësisht vizionin e tyre. Nuk janë realizuar në vendgrumbullime mbeturinash, por janë shkrepur mu në zemër të qendrës spitalore më të madhe në vend vetëm 6 vjet më parë!
Ishte koha kur profesorë, mjekë dhe infermierë të nderuar, qytetarë hallexhinj dhe të sëmurët duhej të punonin dhe merrnin shërbimin ekzaktësisht në këto mjedise.
Koha kur Qendra Spitalore më e madhe në vend nuk dallonte pothuaj fare, nga një treg i gjësë së gjallë, ushqimeve të çastit dhe fanellatës, ka ikur një herë e mirë.
PS: Fotografia e parë është shkrepur në shërbimin e Kardiologjisë, të cilin Doktori “e deshi” dhe “e mbështeti” aq fort…”-shkruan Manasterliu.