Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria futet sërish në listën gri të pastrimit të parave


Shqipëria është futur sërish në listën gri të pastrimit të parave, nga e cila kishte dalë në vitin 2015. Lajmi u dha nga Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL, që është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës që ka detyrën të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.

Në këtë listë përfshihen juridiksionet që kanë mungesa strategjike në parandalimin e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar dhe rrezik të lartë si dhe janë nën monitorim të shtuar.

Njoftimi u bë sot (21 shkurt) nga Financial Action Task Force (FATF), që publikoi listën e subjekteve nën monitorim të zgjeruar. Vendet e reja që janë subjekt i monitorimit janë Shqipëria, Barbados, Xhamajka, Mauritius, Myanmar, Nikaragua, Uganda. Shqipëria është e vetmja nga Europa që shfaqet në këtë listë, së  bashku me Islandën.

Në njoftim thuhet se juridiksionet nën monitorim të shtuar po punojnë në mënyrë aktive me FATF për të adresuar mangësitë strategjike në regjimet e tyre për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit.

Kur FATF vendos një juridiksion nën monitorim të shtuar, kjo do të thotë se vendi është angazhuar të zgjidhë me shpejtësi mangësitë e identifikuara strategjike brenda afateve të pranuara dhe i nënshtrohet një monitorimi të shtuar. Kjo listë shpesh referohet si ‘lista gri’, thuhet në njoftimin zyrtar.

Raporti përmend vullnetin e mirë të Shqipërisë për të adresuar problemet. “Në shkurt të vitit 2020, Shqipëria bëri një angazhim politik të nivelit të lartë për të punuar me FATF dhe MONEYVAL për të forcuar efektivitetin e regjimit të saj në luftën kundër pastrimit të parave.

Që nga përfundimi i raporit të vlerësimit dypalësh (MER- mutual evaluation report) në korrik 2018, Shqipëria ka bërë përparim në një numër të veprimeve të rekomanduara të MER për të përmirësuar përputhjen teknike dhe efektivitetin, duke përfshirë edhe rritjen e të kuptuarit të autoriteteve përkatëse për rreziqet e financimit të terrorizmit.

Shqipëria do të punojë për të zbatuar planin e saj të veprimit, duke përfshirë:

(1) kryerjen e një analize shtesë të thelluar për të kuptuar sa duhet pastrimin e parave dhe rreziqet e tjera, dhe forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit institucional;

(2) përmirësimin e trajtimit në kohë të kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjellë;

(3) krijimi i mekanizmave efektiv për zbulimin dhe parandalimin e infiltrimit kriminal të ekonomisë, përfshirë forcimin e kompetencave të autoriteteve kompetente për të ndërmarrë veprimet e nevojshme;

(4) duke siguruar që informacionet e sakta dhe të azhurnuara të pronësisë janë të disponueshme në baza në kohë;

(5) rritja e numrit dhe përmirësimi i sofistikimit të ndjekjeve penale dhe konfiskimeve për pastrimin e parave, veçanërisht në rastet që përfshijnë vepra kallëzuesish të huaj ose pastrim parash të palëve të treta;

(6) përmirësimi i zbatimit të sanksioneve financiare të synuara, veçanërisht përmes veprimit të zgjeruar mbikëqyrës dhe afrimit të synuar, proaktiv.

FATF identifikon juridiksionet me masa të dobëta për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit (AML / CFT) në dy dokumente publike FATF që publikohen tre herë në vit.

Procesi i FATF për të renditur publikisht vendet me regjime të dobëta AML / CFT ka rezultuar i efektshëm. Deri në shkurt 2020, FATF ka shqyrtuar mbi 100 vende dhe juridiksione dhe ka identifikuar publikisht 80 prej tyre. 60 prej tyre kanë bërë reformat e nevojshme për të adresuar dobësitë e tyre AML / CFT dhe janë hequr nga procesi.

Shqipëria kishte qenë në këtë listë në periudhën 2011-2015 dhe kishte dalë nga lista në 2015-n.

Moneyval parlajmëroi në fund të 2018-s

Një raport i Moneyval i publikuar në fund të vitit 2018, u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare të shtojnë përpjekjet në ndjekjen e pastruesve të parave dhe konfiskimin e aseteve të tyre, të lidhura me aktivitete që gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme dhe në trajtimin e rreziqeve terroriste të financimit të lidhura me to.

Në një raport që është shumë negativ për Shqipërinë vihet në dukje lidhja mes korrupsionit dhe organizatave kriminale për pastrimin e parave, ndërkohë që u tërhiqet vëmendja autoriteteve që ata nuk po marrin masat e duhura për të luftuar këtë fenomen.

Kjo situatë ka bërë që Komisioni Europian të zgjerojë mekanizmin mbikëqyrës për fenomenin e pastrimit të parave në Shqipëri, duke rrezikuar të fusë sërish Shqipërinë në listën gri të vendeve me rrezik të lartë të pastrimit të parave, nga e cila vendi doli në 2015-n.

https://www.monitor.al/shqiperia-rrezikon-serish-te-futet-ne-listen-gri-te-pastrimit-te-parave-dhe-financimit-te-terrorizmit/

Sipas konkluzioneve të raportit, “korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. I lidhur shpesh me aktivitetet e krimit të organizuar, ai gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe seriozisht dëmton funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale.

Autoritetet janë të vetëdijshëm për rreziqet nga korrupsioni, por zbatimi i ligjit deri më tani ka pasur një vëmendje të kufizuar për të shënjestruar korrupsionin e lidhur me pastrimin e parave. Një reformë e rëndësishme gjyqësore është duke u zbatuar për të adresuar më mirë rrezikun e korrupsionit që mbizotëron në vend”.

MONEYVAL pranon se autoritetet shqiptare kanë një kuptim të mirë të rreziqeve të pastrimit të parave të vendit në ekonominë formale dhe kanë mekanizma koordinues kombëtarë për politikëbërjen për të adresuar rreziqet. Megjithatë, këto mekanizma nuk kanë provuar të jenë plotësisht efektive dhe ka disa fusha ku mund të ishin arritur më shumë rezultate, thotë raporti.

Pas më se dy vitesh nga këo paralajmërime, Shqipëria u fut sërish në listën gri, ndonëse gjatë kësaj kohe ajo mori disa masa, por që ishin kryesisht rregullime ligjore.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *