Këtë vit shkollor rreth 20 mijë nxënës po ndjekin arsimin profesional në 35 shkolla që janë të shpërndara në të gjithë vendin. Por teksa numri i nxënëseve që po preferojnë arsimin profesional në vend të gjimnazit po rritet, vrojtimet kanë treguar se integrimi i tyre në tregun e punës për profesionet që studiojnë mbetet një sfide. Ministria e Financave duke analizuar ecurinë e arsimit profesional ka vënë në dukje se vetëm 46.9 për qind persona rezultojnë të punësuar një vit pas diplomimit.
Integrimi i ulët në tregun e punës të nxënësve që mbarojnë arsimin profesional lidhet me disa arsye, ku më kryesorja është mospërputhja e formimit më ofertën e punës.
Rritja ekonomike në Shqipëri gjatë katër viteve të fundit është përkthyer në përmirësime të konsiderueshme në tregun e punës, referojnë financat. Në fund të tre-mujorit të tretë2019 papunësia shënoi 11.4% nga 17 për qind që ishte më 2015.
Edhe pse punësimi erdhi në përmirësim Shqipëria vijon të ketë një nivel të lartë të papunësisë ndër të rinj.
Shkalla e papunësisë së të rinjve në tremujorin e tretë të 2019 ishte 21,4%. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2018, shkalla e papunësisë për të rinjtë është 1,8 pikë përqindje më e ulët, por krahasuar me tremujorin e dytë të 2019 papunësia tek të rinjtë ka pësuar rritje me 0.5%.
Përtej përmirësimeve të qëndrueshme, Shqipëria ende përballet me sfida të rëndësishme në sigurimin e punësimit të sigurt dhe produktiv për të gjithë personat në moshë pune, nxitjen e produktivitetit më të lartë dhe sigurimin e integrimit në tregun e punës, të grupeve të cenueshme, veçanërisht të varfërve, grave, të rinjve dhe grupeve të tjera të pafavorizuara.
Një sfidë e madhe për vendin është përmirësimi i cilësisë së mundësive të punësimit.
Ndërsa papunësia ka rënë ndjeshëm, në 11.5 për qind në TM2-2019, ajo mbetet e lartë, veçanërisht në krahasim me vendet e BE-së.
Vetëm më pak se gjysma e të papunëve kërkojnë punësim përmes shërbimeve publike të punësimit, duke dëshmuar se skema e ndihmës ekonomike, zyrat e punësimit dhe politikat aktive të tregut të punës duhet të strukturohen më mirë për të mbështetur të papunët, analizoi Ministria e Financave.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor.al