Pronarja e ‘Top Media’, Vjollca Hoxha ka humbur shumicën e aksioneve në kompaninë ‘Digitalb’.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Tiranës, që ka rrëzur kërkesën e Hoxhës për të bllokuar kalimin e një pjesë të aksioneve të saj dhe të fëmijëve të saj në ‘Digitalb’, në favor të pronarëve të ‘Supersport’.
Vite më parë, disa nga biznesmenët e fuqishëm të vendit, u përfshinë në një marrveshje tregtare mes ‘Digitalbit’ e ‘Supersportit’ por ajo rezultoi e pasuksesshme.
Në vitin 2010, aksionerët e ‘Digitalbit’ synuan blerjen e ‘Supersportit’ dhe 20 milionë eurot e marrëveshjes duheshin paguar me këste brenda 10 vjetësh.
Pas përfundimit të afatit 10-vjeçar dhe mosfinalizimit të pagesës nga ‘Digitalbi’, aksionerët e Supersportit kërkuan dëmshpërblimin financiar, shkruan Boldnews.
Ndërkohë që pjesa më e madhe e aksionerëve të ‘Digitalbit’ e paguan pjesën e tyre të dëmshpërblimit, aksionerët kryesorë të saj, Vjollca Hoxha e fëmijët e refuzuan pagesën.
Aksionerët e ‘Supersporti’t, kërkuan në gjykatë që të merrnin aksionet e Vjollca Hoxhës e fëmijëve të saj në ‘Digitalb’ në vlerën në natyrë të detyrimit.
Në mes të janarit 2020, gjyqtari Flamur Kapllani vendosi në favor të aksionerëve të ‘Supersportit’, duke i bllokuar familjes Hoxha një pjesë të aksioneve në ‘Digitalb’.
Pas vendimit të sotëm familja Hoxha zbret në rreth 42% të aksioneve, duke humbur, për herë të parë, paketën kontrolluese të shoqërisë.