Pas vdekjes së dy personave në Itali të cilët ishin infektuar me koronavirus, Porti i Durrësit ka shtuar masat për kontroll.
Autoritetet portuale në Durrës kanë rritur gatishmërinë për kontrollet, ndërkohë që vetëm këtë fundjavë 2 tragete me rreth 446 pasagjerë të nisura nga bari janë ankoruar në vendin tonë.
Mjeku përgjegjës i karantinës së portit, Indrit Kalaja tha se pasagjerët janë kontrolluar por ata nuk kanë rezultuar me probleme shëndetësore.
“Jemi përditë të azhornuar me rastet e koronavirusit. Që në ditët e para njësia jonë ka krijuar një task forcë me strukturat shëndetësore të qytetit, e cila ka sjellë një inspektor në ndihmë të grupi tonë. Gjithashtu vijnë edhe dy inspektorë nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor. Kështu që masat janë përforcuar.
Sot erdhën dy tragete nga Bari me 446 pasagjerë, nuk kishte pasagjerë që vinin nga Kina. Të gjitha rastet kur vijnë nga këto vende ne i intervistojmë. Nuk kanë pasur probleme shëndetësore.”- tha dr.Kalaja.
Kalaja theksoi se po mbahen nën vëzhgim edhe marinarët e mjeteve detare tregtare, të cilët nuk vijnë nga portet kineze. Muajt e fundit në port kanë hyrë anije që vijnë kryesisht nga portet e Detit të Zi.