Ish-deputeti Tritan Shehu ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Itali, ky dy njerëz kanë humbur jetën nga koronavirusi dhe numri i të infektuarve ka shkuar në 29.
Shehu shkruan se ndërkohë që shteti fqinj është treguar transparent duke paraqitur para publikut skenarë të shumtë, masat që po merren, në Shqipëri thotë se institucionet tona nuk bëjnë të njëjtën gjë, duke iu qëndruar “sekretit shtetëror”.
Ish-deputeti thekson se në Shqipëri nuk është bërë gati asnjë karantinë, në rast të mbërritjes së koronavirusit edhe këtu.
“Mjekët e personelit janë nën rrezik të lartë, 5 nga të prekurit midis tyre.
Ndërsa Italia po ngre lart nivelin e alarmit dhe transparencën me publikun, institucionet shqiptare qëndrojnë të ‘ngurosura’ mbas ‘sekretit shtetëror’.
Nivelet me te larta italiane paraqesin para publikut gjendjen, mundësitë e zhvillimit të skenarëve të shumtë, masat strategjike e konkrete që po merren, mbështetjet financiare, teknike, logjistike a njerëzore për ato, në Shqipëri ‘sekreti’ u ka vulosur gojën institucioneve tona.
Fakti që në Itali rastet u shtuan me shpejtësi e 5 janë personel shëndetësor, duhet të ngrejë në ekstrem alarmin për rrezikun që i kërcënohet dhe vendit e personelit tonë, duke na bërë të analizojmë realitetin tonë ‘afrikan’ shëndetësor, të përcaktojmë çfarë mund të bëhet ndërkaq për të përballuar një hyrje të mundshme të virusit tek ne, për t’u mbrojtur.
Gjithashtu dështimi i asaj forme ‘karantine’ të realizuar në anijen ‘Diamond Princess’ po i bën të gjithë të kuptojnë kompleksitetin e ngritjes së saj, ndërsa për ne në Shqipëri është shumë thjesht, nuk kemi asnjë të tillë, as përpiqemi të kemi, duke u fshehur pas ‘Sekretit Shtetëror’.
E pa tolerueshme kjo!”– shkruan Shehu.