Kryeministri Rama i është përgjigjur presidentit Meta pas thirrjeve të kreut të shtetit për tubimin e 2 marsit.
Në dy postime të njëpasnjëshme në Twitter, kreu i qeverië shkruan se nuk duhet humbur kohë me ata që çirren gjithnjë e më fort kundër qeverisë.
‘Mos humbim kohë me ta,janë të dënuar të përpëliten në zjarrin e urrejtjes së tyre e të çirren gjithnjë e më fort kundër nesh!Shqipëria i ka lënë pas dhe kërkon nga ne ta çojmë përpara; duke e forcuar çdo ditë, përmes reformave e punëve që s’u bënë kurrë në kohën e tyre të shkuar.’ – shkruan Rama.
Në postimin e dytë kreu i qeverisë shkruan se teksa Shqipëria po forcohet, ata që e penguan dhe e shfrytëzuan dëshpërohen e lëshojnë gjuhën jashtë kontrollit.
‘Sa më shumë Shqipëria forcon trupin e saj të brishtë,aq më shumë ata që e penguan, shfrytëzuan, dërrmuan për vite të tëra, dëshpërohen e lëshojnë gjuhën jashtë kontrollit! Tamam kur Shqipërisë i’u bë një deklaratë publike dashurie nga BE dhe bota mbarë në 17 shkurt, ata u marrosën…’ – shkruan Rama në postimin e dytë.