Nga Edvin Prifti
Vdekjet e para të shënuara në Itali nga infeksioni i koronavirusit na bëjnë të ndjehemi akoma edhe më afër ndaj ngjarjeve të cilat mund të jenë shkatërrimtare për njerëzit dhe popullin tonë.
Masat drakoniane që janë marrë në vendin e origjinës të këtij infeksioni viral dhe që po shoqërohen me masa akoma edhe më të ashpra në vendet pranë duhet të na bëjnë të mendojmë akoma edhe më seriozisht se si duhet të përgjigjemi në këto kushte.
Mendoj që gjithmonë ka momente relaksi dhe llafesh, proklamatash, por kur ndodhemi përballë fataliteteve të mundshme duhet një seriozitet i jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm i çdo strukture.
E para – Diagnostikimi në kohë rekord
Dje po interesohesha dhe m’u tha nga një prej specialistëve tanë më të mirë të sëmundjeve infektive që real time PCR me kitet e koronavirus është kërkuar nga laboratori i mikrobiologjisë në QSUT dhe nuk është realizuar pasi PPP-ja nuk e parashikon.
Sigurisht që dikushi do justifikohet që kjo është një emergjencë dhe e re! Pikërisht këto raste duhet të parashikohen në çdo rast. Pra justifikimi është i pajustifikueshëm. Atëherë unë them që zotërinj – këtu ndodhemi përballë një çështjeje të sigurisë kombëtare.
Unë nuk e di se ç’mund të konsiderohet tjetër gjë brenda nocionit të sigurisë kombëtare. Dhe në këto kushte dikush mund të ketë paturpësinë të kthejë një përgjigje të tillë.
Nga ana tjetër ne si universitet na duket një gjë normale kjo?! Nëse kjo PPP reagon në këtë mënyrë atëherë pa dyshim që duhet rishikuar pasi është totalisht e padrejtë dhe aspak shkencore, bllokon hulumtimin që në pikënisje dhe rrezikon dhe cënon jetën.
Kur i mohohet të vetmes qendër universitare hulumtimi dhe diagnostikimi?! Atëherë kush do ta bëjë? Dikushi më tha se mund të diagnostikohet në institutin e shëndetit publik. Kjo është gjë shumë e mirë, po si mund të mohohet diagnostikimi në QSUT.
E dyta – Karantina
Asgjë nga fronti i lindjes. Nuk dimë se si, ku, në ç’kushte. Mos na duket çudi, pasi mund të jetë secili prej nesh kandidat për në karantinë dhe mendoj që njerëzit duhet të jenë në dijeni të gjithçkaje. Sugjeroj që karantina duhet treguar dhe demonstruar.
Për kujtesë, ka qenë dikur një burrë shteti në Gjermaninë e madhe civile që u mbushi mendjen familjeve gjermane që te gjithë njerëzit me aftësi të kufizuara, sindromat etj do të qëndronin në zona të caktuara ‘karantinë’ dhe më pas dihet fundi i tyre.
Prandaj është e drejta minimale civile që në një shoqëri të lirë karantina demostrohet dhe çdo njëri prej qytetarëve e di se ku do të qëndrojë për periudhën e caktuar të izolimit. Ndonjë mjek që ka deklaruar që karantinat jane sekrete thotë veç një absurditet të panevojshëm.
Edhe Kina tregonte në detaje kushtet e karantinave. Prandaj dhe koleëet tanë të sëmundjeve infektive që janë super specialistë në fushën e tyre të jenë në krye të çdo lloj trajtimi dhe survejimi të mundshëm.
E treta – Trajtimi
Këta të sëmurë kanë nevojë për ventilim mekanik të drejtuar ose oksigjenim artificial. Përsa i përket ventilimit mekanik, në Shqipëri ne kemi vetëm 140 ventilatorë mekanikë, këtu përfshirë edhe strukturat private që do të thotë, që sikur t’jua mohojmë ventilimin mekanik gjithë të sëmurëve të tjerë atëherë vendi ynë mund të trajtojë vetëm 140 të sëmurë njëkohësisht.
Oksigjenimi artificial që ka të bëjë me një aparat tjetër që quhet Extracorporeal membrane oxygenator ose ECMO, të cilin kemi vite që e kërkojmë me ngulm në kardiokirurgji, por sidomos pas epidemisë së H1N1 si e vetmja alternativë për të mbajtur në jetë këta të sëmurë, nuk ka asnjë aparat të tillë në Shqipëri.
Afërsia me Lombardinë, shkëmbimet në njerëz dhe mallra me Italinë na shtyn që duhet menduar seriozisht për përballjen me koronavirusin. Dikush mund të thotë që nuk duhet bërë panik. Mbase kjo mund të vlente para një muaji kur ngjarja ishte larg dhe efekti nuk dihej, por tashti me duket infantile totalisht çdo justifikim në kuadrin e mos perhapjes së panikut.
Tek e fundit në një luftë duhet të shkojmë të përgatitur. Nuk mund të sillemi sikur është një gjë larg nesh. Çdo njëri prej nesh, politikanë, biznesmenë, ambasadorë, ministra dhe deputetë, por veçanërisht personeli shëndetësor mund të jenë të infektuarit e radhës.
Nga 29 të infektuar në itali, 5 jane personel shëndetësor. Dhe pa dyshim që personeli shëndetësor në vendin tonë nuk do ta meritonte aspak një risk të ri tëe shtuar. Domine Quo Vadis?!
Për këdo që mund t’i vlejë, më poshtë janë të gjitha masat e marra nga regione Lombardia. Duhet të jemi të gjithë aleatë në këtë luftë.
www.lombardianotizie.online/coronavirus-ordinanza/?fbclid=IwAR1dbkZifxYiICd12HAJ7EGc-wPP3xLuNEpg0ySHAZyTqZQQB56zniep_wA