Dy vëllezër në Fier janë arrestuar nga policia, pasi akuzohen se e kishin kthyer lokalin e tyre në një bazë për tregtimin e drogës.
Identiteti i dy vëllezërve nuk është bërë i ditur për momentin, por vetëm inicialet e tyre D. B. dhe E. B. Gjatë kontrollit në biznesin e tyre, dy vëllezërve iu janë gjetur dhe sekuestruar një sasi kanabisi në formë çokollate dhe një sasi eurosh e lekësh.
Detajet e policisë:
Përshtasin lokalin për përdorim droge dhe tregtonin lëndë narkotike, vihen në pranga 2 vëllezërit.
Sekuestrohen 122 gram lëndë narkotike në formë çokollate, e dyshuar kanabis sativa dhe një sasi parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, specialistët për hetimin e narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasit:
- B., 40 vjeç dhe E. B., 27 vjeç, banues në Fier.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e këtyre shtetasve, kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike në formë çokollate prej 122 gram e dyshuar kanabis sativa si edhe 1800 euro dhe 45 mijë lekë të reja të cilat dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Nxitja për përdorim droge”.