Vendosni fjalën kyçe....

Shënohet viktima e parë nga koronavirusi në Itali


Shënohet viktima e parë nga koronavirusi në Itali. Ai quhej Adriano Trevisian, ishte 78 vjeç dhe baba i tre fëmijëve.

“Corriere Della Sera” shkruan se ai ka ndërruar jetë në spitalin Schiavonia të Padovës, ku ishte shtruar 10 ditë më parë me simptoma të gripit.

Por të mërkurën gjendja e tij ishte përkeqësuar, një ditë pasi dy pensionistë të tjerë u shtruan në spital me simptoma të ngjashme klinike. Pasi iu nënshtruan testit përgjigja ishte: pozitive.

Dy pensionistët e njihnin njëri-tjetrin. Ata frekuentonin të njëjtat bare, tani të mbyllura me një urdhër të kryetarit Giuliano Martini, ku shkonin për të luajtur me letra.

Ata kurrë nuk kishin qenë në Kinë dhe kontaktet e tyre po rindërtohen për të zbuluar se kush mund t’i ketë infektuar ata. 

Pas vdekjes së Trevisian dhe lajmit se 15 persona të tjerë janë gjithashtu të infektuar, guvernatori i rajonit të Venetos Luca Zaia deklaroj se “spitali Schiavonia  ku po kurohej viktima do të mbyllet e brenda 5-6 ditëve do të boshatiset e gjithë struktura.”

Që nga dita e djeshme Euganeo me 3,300 banorë, është një fshat i izoluar, shkolla dhe dyqane të mbyllura (përveç shërbimeve tregtare dhe shërbimeve thelbësore), transporti i ndaluar, punëtorët e detyruar të qëndrojnë në shtëpi – përveç nëse ata operojnë në shërbime thelbësore.

Koronavirusi ka vënë në alarm Italinë, pasi autoritetet e shtetit fqinj konfirmuan lajmin se 16 persona kishin rezultuar pozitiv.

Të prekurit janë nga dy rajone italiane Lombardi e Veneto duke detyruar mbylljen e shkollave në 11 komuna dhe marrjen e masave të tjera.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *