Vendosni fjalën kyçe....

Meta falenderon aktorin: Ju pres të gjithëve ju artistët heronj, ta kthejmë 2 marsin në një referendum


Presidenti i vendit Ilir Meta, ditët e fundit ka bërë herë pas here ftesa për të marrë pjesë në një protestë më 2 mars për të mbrojtur Kushtetutën, në ‘Bulevardin Dëshmorët e Kombit’.

Aktori Neritan Liçaj, i cili është ndër aktivistët më në zë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar i është përgjigjur në një koment se do të marrë pjesë dhe e konsideron mbrojtjen e Kushtetutës një “detyrë patriotike”.

Kreu i shtetit i është përgjigjur komentit duke e falënderuar aktorin dhe thotë se i pret në protestë të gjithë “artistët heronj dhe patriotë” siç i quan ai.

Meta shprehet se nëse “organizata mafioze” siç i referpohet ai qeverisë, rrëmben Gjykatën Kushtetutese ata do zhdukin jo veç Teatrin por çdo trashëgimi kulturore e kombëtare.
“Faleminderit i dashur Neritan!
Ju pres me shumë kënaqësi, jo vetëm ju personalisht, por të gjithë artistët heronj dhe patriotë, në 2 mars në mbrojtje të Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese. Nëse organizata mafioze rrëmben në mënyrë anti-kushtetuse Gjykatën Kushtetuese ata do zhdukin, jo vetëm teatrin, por çdo trashëgimi kulturore e kombëtare për llogari të disa oligarkëve dhe organizatës ndërkombëtare.
Ndaj është detyra ime si President i Republikës t’i bëj thirrje të gjithë popullit shqiptar të hapë sytë mirë në këto momente deçizive për fatet e kombit dhe demokracisë. Shqiptarët e bashkuar rreth Kushtetutës dhe Flamurit Kombëtar do të fitojnë!
Të rivendosim plotësisht rendin kushtetues dhe demokratik siç e ka shprehur vullnetin e tij populli shqiptar me Referendum në 22 nëntor 1998. Ndaj ta kthejmë 2 marsin në një referendum madhështor të triumfit të sovranit ndaj puçistëve dhe tradhtarëve kudo qofshin. Presidenti i njeh prej kohësh, por tani fytyrat e tyre hipokrite po i zbulojnë të gjithë shqiptarët. Bëjnë si tigra për të frikësuar njerëzit e thjeshtë, por janë vetëm minj përpara popullit shqiptar dhe drejtësisë që do të vijë. U zgjata pak, por ju dhe shumë artistë të tjerë keni vite në protestë për teatrin dhe meritoni mirënjohjen e çdo shqiptari.
Ndaj ata do të vinë, jo vetëm për të mbrojtur të drejtat e tyre kushtetuese që dhunohen çdo ditë, por dhe në mirënjohje të protestës tuaj legjendare përballë bandës që nuk njeh Kushtetutë, ligj, konventë ndërkombëtare dhe atdhe.”- shkruan Meta.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *