Vendosni fjalën kyçe....

Naftëtarët marshojnë në Fier për pagat, u bashkohen dhe minatorët e Bulqizës


Naftëtarët e rafinerisë së Ballshit kanë nisur marshimin e tyre në qytetin e Fierit, siç kishin paralajmëruar ditë më parë.

Në marshim kanë marrë pjesë naftëtarët, familjarë e të afërm të tyre, aktivistë e madje u janë bashkuar edhe minatorët e Bulqizës në shenjë solidariteti.

Gjendja shëndetësore e naftëtarëve që ndodhen në grevë urie për të 7-ën ditë, është përkeqësuar. Tre prej tyre ditën e djeshme kanë marrë ndihmë mjekësore.

Naftëtarët ankohen se nuk ka asnjë lloj reagimi për kërkesat e tyre, por vetëm premtime boshe që ju bëhen nga përfaqësues të firmës dhe kompanisë.

“Të nderuar kolegë naftëtarë, jemi mbledhur sot për një kauzë të madhe, për të ardhmen e qytetit tonë, për fatin e fëmijëve tanë. Ka ardhur koha t’u themi jo spekulimeve të vazhdueshme që janë bërë në kurrizin tonë. Kemi mbërritur në një pikë, me naftë nën këmbë por të papunë, me rafinerinë më të madhe të naftës në Ballkan por pa lekë, me të drejtën tonë por pa reagim e pa të ardhme.

E kemi ngritur zërin por ai ka rënë në vesh të shurdhët, ndaj vendosëm të agravojmë qëndrimin tonë, duke marrë aktin sublim të vetësakrifikimit, të shprehur në kulmin më të lartë të protestës, vendosëm të hyjmë në grevë urie.

Sot jemi në ditën e 7 të saj dhe ende s’kemi asnjë reagim.

Ditën e djeshme kolegët tanë të cilët ndodhen në grevë urie kanë patur shëndet shumë të rënduar, tre prej të cilëve janë dërguar drejt qendrës shëndetësore të qytetit. Njëkohësisht për kolegët tanë të Poçemit, ata ndodhen në ditën e 12 të grevës së urisë.

Do doja t’u bëja një apel shumë të fortë të gjithë instancave qeverisëse, duhet të ndalet njëherë e mirë opsioni i mbajtjes së rafinerisë me qira. Le të ulen të dyja palët në tavolinë, t’i japin zgjidhje një herë e përgjithmonë këtij problemi. Ne jemi naftëtarë, por jeta dhe ekonomia jonë është e të gjithë qytetit. Pa pagat tona nuk ka bukë në tavolinat tona, nuk ka arsimim, nuk ka shëndetësi, nuk ka drejtësi. Që do të thotë se nëse jeta jonë përkeqësohet, vdes jeta e të gjithë qytetit.

Sot na ka nderuar një përfaqësi e mirë e minatorëve, do doja t’ju jepja fjalën e falenderimit.”– tha Sokol Dauti, përfaqësuesi i naftëtarëve dhe organizator i grevës së urisë.

Në mbështetje të naftëtarëve të Ballshit ishin dhe 8 minatorë nga Bulqiza, në shenjë solidariteti.  Përfaqësuesi i tyre Elton Debreshi u bëri thirrje që të bashkohen dhe të luftojnë për të drejtat e tyre.

“Faleminderit për mikpritjen, unë jam Elton Debreshi, kryetar i SMBB-së dhe bashkë me disa minatorë kemi ardhur këtu në mbështetje të kauzës tuaj. Duke parë që vendimi juaj për grevën e urisë është një vendim i drejtë sepse në kushtet që jeni dhe pagat që nuk keni marrë në kaq muaj, besoj se nuk ka më keq. Ne solidarizohemi me naftëtarët e Ballshit, për problemet që kanë. Problemet janë të njëjta. Dy janë sektorët më të mëdhenj të vendin miniera në Bulqizë dhe nafta në Ballsh, ky është një hall i përbashkët. Kundër nesh janë pronarët, shteti, oligarkët dhe e vetmja mënyrë është që ne ta marrim situatën në dorë, të bashkohemi, t’i japim dorën njëri tjetrit se mbi të gjitha jemi këtu për të drejtat tona dhe jo për të drejtat e atyre. Bashkimi bën fuqinë. Minatorët ende se kanë marrë një status dhe ato vuajnë po ashtu si ju me shumë probleme shëndetësore. 

Ne jemi të mbaruar se i kemi pagat aq të ulëta sa nuk mbajmë dot familjet me ushqim. Kam një mesazh nga minatorët: Rrofshin minatorët dhe naftëtarët. Do të fitojmë.“- tha Debreshi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *